E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Janë ndërprerë operacionet se s’ka medikamente”, Spitali i Elbasanit përgënjeshtron Boçin: Puna s’është ndalur asnjë ditë

Spitali i Elbasanit ka hedhur poshtë denoncimin e deputetit demokrat Luçiano Boçi se janë ndërprerë ndërhyrjet kirurgjikale për shkak të mungesës së materialeve mjekësore.

Spitali i Elbasanit tha se ndërhyrjet kirurgjikale vijojnë normalsiht si çdo ditë dhe nuk janë ndalur kurrë. Spitali shton se nuk i mungojnë as materialet mjekësore as medikamentet dhe se denoncimin e Boçit e cilëson si përpjekje për desinformim.

“Nisur nga përpjekja për  Disinformim në rrjetet sociale : Spitali Rajonal Elbasan sqaron opinionin publik se në Shërbimin e Kirurgjisë vijon puna normalisht dhe ndërhyrjet kirurgjikale nuk janë ndalur në asnjë moment.

Sa më sipër, informojmë se vetëm më datë 17 Janar 2023 janë realizuar 5 ndërhyrje kirurgjikale, 3 prej të cilave të planifikuara dhe 2 urgjenca. Janë  gjithashtu 60 mjekime pacientësh ambulatorë dhe 15 pacientë të shtruar. Të gjitha këto janë mbuluar nga materialet e mjekimit që disponon spitali.

Spitalit Rajonal Elbasan nuk i mungojnë as materialet mjekësore as medikamentet dhe puna po vijon me normalitet si në çdo ditë të vitit. Aktualisht jemi duke vijuar procedurat ligjore dhe administrative për furnizimin në vazhdimësi.Spitali Rajonal Elbasan i siguron qytetarët se ka siguruar dhe do te vijoje të siguroje ne kohe, cilësi dhe përkushtim mbulimin e të gjitha  shërbimeve spitalore”, thuhet në njoftimin e spitalit të Elbasanit.

Një ditë më parë deputeti demokrat Luçiano Boçi tha se në Spitalin e Elbasanit ishin pezulluar të gjitha operacionet e planifikuara për shkak të mungesës së materialeve mjekësore.

“Nga sot në spitalin rajonal të Elbasanit janë pezulluar operacionet e të gjitha niveleve të planifikuara. Rrezikohet madje dhe shërbimi i urgjencës. Nuk ka materiale e mjete mjekësore deri dhe garza e lekoplast. Situata ka degraduar sa njerëzit blejnë në farmaci dhe gjërat më elementare, siç është aparati i serumit që kushton vetëm 20 lekë. Njerëzit janë të pashpresë! Rama vazhdon shoën e radhës”, shkruan Boçi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›