E Diel, 1 Nëntor 2026

Janë raportuar 179 raste të parave të falsifikuara

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij vitit në Policinë e Kosovës janë raportuar 179 raste të parave të falsifikuara. Ndërkaq javën që lamë pas në qytetin e Prizrenit është arrestuar një e dyshuar dhe janë gjetur mbi 200 mijë euro para të falsifikuara prej të cilave 468 kartëmonedha pesëqindëshe.

Pavarësisht se masat e sigurisë tek kartëmonedhat janë shumëfishuar, sërish falsifikatorët arrijnë të prodhojnë para false me një ngjashmëri tepër të madhe me origjinalin. Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës Brahim Sadriu, thotë se policia ka realizuar disa operacione të suksesshme në luftimin e kësaj dukurie. Policia ka arritur të arrestojë një numër të konsiderueshëm të personave që janë marrë me futjen e këtyre parave në vendin tonë. Ndërkaq, rastet më të shpeshta të raportuara janë nga punonjësit e bankave dhe bizneseve të cilët pranojnë nga klientë të ndryshëm para që dyshohet të jenë të falsifikuara, transmeton Radio Kosova. 

Sadriu thotë se një bankënotat origjinale posedojnë shenjat identifikuese që pamundësojnë falsifikimin e tyre.

Me gjithë punën e policisë në parandalimin e kësaj dukurie nuk përjashtohet edhe mundësia e qarkullimit të këtyre parave në treg. Ndërkaq numri më i madh i viktimave janë qytetarët të cilët në mënyra të ndryshme posedojnë dhe këmbejnë me mallra para të falsifikuara. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›