E Diel, 1 Nëntor 2026

Jansha: Shqipëria, në rrugën e duhur me reformat - qëndrimi i saj konstruktiv vlerësohet prej BE-së

04-09-2012 / Gazeta 55

Gjatë vizitës që po kryen në Slloveni, Kryeministri Sali Berisha mori mbështetjen e qeverisë sllovene për integrimin evropian. Berisha: “Për imunitetin, opcioni i referendumit mbetet operativ nëse parlamenti nuk do të votojë heqjen e tij”

Gjatë vizitës që po kryen në Slloveni, Kryeministri Sali Berisha iu përgjigj edhe interesit të gazetarëve lidhur me imunitetin duke pasur parasysh që Parlamenti nisi sesionin e ri parlamentar. Kryeministri Berisha ka deklaruar se heqja e imunitetit nuk bëhet për të fituar kapital politik, por është një çështje madhore. “Heqja e imunitetit bëhet për të bërë politikën shqiptare, zyrtarët shqiptarë, më civil të barabartë para ligjit me qytetarët e tjerë. Heqja e imunitetit është kërkesa ndër më të drejtat dhe legjitimet të Bashkimit Evropian. Vendet e lira nuk mund të pranojnë që zyrtarët e tyre të jenë imun për keq veprimet që bëjnë në drejtim të korrupsionit dhe krimit të zakonshëm. Ka 10 vjet që ne kemi kërkuar një gjë të tillë, kemi qenë në opozitë dhe në mënyrë të përsëritur e kërkojmë. Theksoj këtu se për mua nuk kanë rëndësi rrugët, rëndësi absolute ka heqja e imunitetit. Natyrisht pas një serie dështimesh për ta hequr në rrugë parlamentare për shkak të kundërshtimit të palës tjetër, ne kemi vendosur ti drejtohemi popullit për referendum dhe absolutisht opsioni i referendumit mbetet në këmbë dhe operativ që në momentin që parlamenti nuk do të votojë heqjen e tij, sepse unë e gjykova që ky është një parim i madh i vlefshëm për të luftuar me të gjitha mjetet demokratike”, deklaroi Berisha.
Ndërsa pyetjes së gazetarëve nëse i është reflektuar kriza në rajon në ekonominë e vendit, kryeministri Berisha theksoi se  kriza evropiane është një krizë multidimensionale, afatgjatë, e cila në mënyrë të padiskutueshme ka pasur pasojat, pasqyrimin  dhe ndikimin e saj negativ në Shqipëri.  “Në vitin 2008 ne kemi pasur një rritje ekonomike 8.2% dhe pas atij viti rritja jonë ndonëse ka mbetur 4 herë më e lartë se mesatarja e rajonit ka zbritur në shifrat 3-4 %.  Pra kriza ka ndikim. Në rast se në vitin 2009-2011 eksportet e vendit u dyfishuan, me thellimin e krizës në Itali, eksportet me Italinë ranë në mënyrë të ndjeshme.  Kriza në Greqi përbën një problem, pasi  janë zvogëluar në mënyrë të ndjeshme shkëmbimet e fuqishme tregtare që kishim me këtë vend mik, por edhe remitancat e emigracionit shqiptar, të cilat kapnin së paku shifrën 1 miliard lekë në vit janë pakësuar  ndjeshëm”, theksoi kreu i Ekzekutivit. Sipas tij shefit të qeverisë numri i emigrantëve që kthehen nga Greqia është rritur. Jemi dëmtuar nga një fakt tjetër, një zhvillim i cili pak vite më parë ishte ndër më pozitivët në vendin tim, tani ka humbur tendencë. Ne kemi një sistem bankar i tëri nga vendet anëtare të Eurozonës. Disa instruksione të dhëna nga autoritet bankare evropiane bankave, janë të dëmshme për ekonominë  tonë dhe unë mund t’ju jap një shembull. Në qoftë se ju është thënë që kufizojmë kreditimin, çfarë situate është krijuar? Bankat kanë një likuiditet të plotë, por nuk kanë kredituar as gjysmën e kursimeve që ato kanë, çka do të thotë se dëmtojnë vetë krijimtarinë  e tyre. Por ne kemi një dialog me autoritet bankare evropiane për t’u dhënë përgjigje këtyre problemeve. Pra kriza pasqyrohet.
Kryeministri slloven Jansha: “Shqipëria është në rrugën e duhur me reformat, ka qëndrim konstruktiv në rajon dhe BE-ja e vlerëson”/Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të dy kryeministrave, pas takimit kokë më kokë, mikpritësi slloven, kryeministri Janez Jansa ka deklaruar se vlerëson proceset e reformave që janë bërë vitet e fundit dhe se e kupton homologun e tij shqiptar për marrëveshjet me opozitën. “Siç thashë më parë, Sllovenia vlerëson proceset e reformave që janë realizuar vitet e fundit. Po ashtu, edhe reformat politike që Shqipëria ka realizuar këtë vit. Ne vlerësojmë të gjitha arritjet, marrëveshjet që janë realizuar mes mazhorancës e opozitës. Nga eksperienca ime personale, e di që marrëveshje të tilla nuk janë të lehta dhe ne ketë e vlerësojmë si hap shumë të fuqishëm të  rëndësishëm përpara”, deklaroi kryeministri slloven Jansha. Megjithatë kryeministri slloven ftoi opozitën të shfrytëzojë mundësitë për bashkëpunim me maxhorancën, sidomos për ligjet me 3/5 aq të nevojshme për integrimit europian. Ai theksoi se BE-ja vendos disa rekomandime dhe prêt të miratohen duke dhënë shembull slloven të reformave integruese. “Vlerësojmë edhe që BE pret që ky trend do të ecë edhe më tej dhe opozita në Shqipëri, në vendimmarrjet ku është zëri i saj, kur kjo nevojitet për ecjen përpara të vendit në BE, vota e saj  mund të jetë evropiane. Besojmë se opozita nuk do ta shfrytëzojë këtë si një tendencë të brendshme politike. Por do të ofrojë bashkëpunimin aty ku duhet 3/5 e votave. Ajo duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme. Këtu nuk kemi të bëjmë aspak me çështje që kanë të bëjnë vetëm me marrëdhëniet e brendshme të shtetit. Bëhet fjalë për kërkesa të cilat BE i ka përcaktuar, jo vetëm karshi Shqipërisë, por për çdo vend që synon t’i bashkëngjitet BE-së për të realizuar standardet evropiane. Edhe kur kemi të bëjmë me heqjen e imunitetit, po ashtu, kjo është një gjë që duhet të respektohet, sepse në kuptimin evropian, kjo nuk mund dhe nuk duhet të jetë një matje e forcës mes mazhorancës dhe opozitës, por duhet të jetë një bashkëpunim i të gjitha forcave politike që ky hap të arrijë sa më parë. Nëse BE vendos disa kushte të cilat duhet të plotësohen, atëherë shteti kandidat, sa më parë t’i plotësojë këto kushte aq më afër pikësynimit të saj është. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Slloveninë. Edhe Sllovenia ishte e detyruar të ndryshonte shumë gjëra në legjislacionin e vet. Ka qenë e detyruar që ajo të harmonizojë edhe çështje të politikës së brendshme gjatë periudhës së aspirimit të saj për integrim evropian. Sllovenia e ka ndryshuar Kushtetutën për qëllimin e anëtarësimit në BE dhe këto nuk ishin vendime të lehta. Por ne kemi arritur marrëveshjet e duhura mes mazhorancës e opozitës dhe rezultat është fakti se sot Sllovenia është vend anëtar i BE-së. Besoj se të njëjtat standarde do të përdoren për të gjitha vendet e tjera kandidate”, theksoi kryeministri  Jansha.  
Ndërsa i pyetur rreth mbështetjes sllovene të aspiratës Shqipërisë për t’u integruar në BE, kryeministri Jansha nënvizuar faktin se “Shqipëria është në rrugën e duhur edhe me reformat që janë arritur atje, që janë shumë të vështira të realizohen. Ky është një hap domethënës dhe Sllovenia edhe më tej do ta ndihmojë e mbështesë me të gjitha mjetet e mundshme Shqipërinë në këtë drejtim. Shqipëria drejt këtij rrugëtimi ka edhe një përparësi shumë të rëndësishme sepse ka një qëndrim shumë konstruktiv në rajon që Evropa e vlerëson dhe gatishmëria e saj që të ndihmojë aty ku mundet. Në një farë mënyre BE është një familje e vendeve anëtare, ku ndahen detyrat dhe çdo hap që bën çdo vend i caktuar, nga pikëpamja e përgatitjes së saj që është një faktor i zgjerimit të paqes e stabilitetit, është një vlerë e shtuar kur respektohen ato çështje, kur merret parasysh dhe vlerësohet nëse një vend i ka plotësuar kushtet për anëtarësim apo jo”. Sllovenia gjithashtu ka mbështetur këto ditë Shqipërinë në kapërcimin e situatës emergjente që është krijuar për shkak të zjarreve, për çka Kryeministri shprehu mirënjohje. Kreu i qeverisë shqiptare ftoi gjithashtu publikisht kryeministrin slloven të vizitojë Shqipërinë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit. Gjatë vizitës në Slloveni, kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta dhe me presidentin, Danilo Turk, si dhe me Kryetarin e Kuvendit të Sllovenisë, Dr Gregor Virant.  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›