BE, ultimatum Ramës: Votoni imunitetin, mos bëni politikë me të
Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino ka përcaktuar fundin e shtatorit si vijën e kuqe, për miratimin e vendimit për kufizimin e imunitetit. Duke i bërë thirrje opozitës të mos e përdorë kërkesën e BE-së për betejë politike, ai kujton se kufizimi i imunitetit është shumë i rëndësishëm për Brukselin, është një element kyç në luftën kundër korrupsionit dhe vendimtar për marrjen e statusit të kandidatit
Në ditën e nisjes së sesionit të ri parlamentar, Bashkimi Europian ka cilësuar të domosdoshme miratimin e ligjit për kufizimin e imunitetit dhe ka bërë apel për dakordësi mes palëve përpara tetorit. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino në një konferencë për shtyp kërkoi nga politika shqiptare që të mos e shndërrojë çdo çështje në betejë, por të bëjë përpjekje maksimale për të arritur në kohë plotësimin e njërit prej kritereve më të rëndësishëm për BE-në, luftën kundër korrupsionit. “Kufizimi i imunitetit është shumë i rëndësishëm për ne, është një element kyç në luftën kundër korrupsionit. Ky do të jetë një hap përpara në drejtimin e duhur për Shqipërinë”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Saninno në Bruksel. Sipas Sanninos, “Shqipëria ka arritur rezultate të dukshme, por ajo që mbetet problematike është fakti se çdo çështje kthehet në betejë nga klasa politike, dhe në fund ajo që mbetet është më tepër lufta politike se sa rezultatet. Jemi të ndërgjegjshëm për punën e bërë nga nëntori i vitit të kaluar deri më sot”.
Brukseli i kushton rëndësi të veçantë heqjes dhe kufizimit të imunitetit të zyrtarëve të lartë, dhe kjo reformë mund t’i sigurojë Shqipërisë shansin për të marrë statusin e vendit kandidat në tetor.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet “Thembra e Akilit” për vendet e Ballkanit, që të përparojnë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Deklarata e Sanninos ka ardhur gjatë takimit të Ministrit të Jashtëm Panariti dhe ministres së Integrimit Bregu në Qendrën për Politika Evropiane në Bruksel. Ministrja Bregu ka informuar shtetet anëtare lidhur me hapat që ka bërë Shqipëria për plotësimin e 12 prioriteteve, ndërkohë që të dy ministrat kanë marrë pjesë në aktivitetin për integrimin europian të Shqipërisë e organizuar nga qendra e politikave europiane. Në këtë aktivitet, të dy ministrat kanë theksuar se Shqipëria ka përmbushur pjesën më tê madhe tê kritereve dhe se vendi meriton marrjen e statusit të vendit kandidat. Gjithashtu ministrja e Integrimit Bregu deklaroi se BE-ja vlerëson reformat e Shqipërisë. Heqja e imunitetit është një sinjal i fortë për marrjen e statusit të vendit kandidat. “Të gjitha masat për luftën kundër korrupsionit merren parasysh. Gjithsesi shprehja e një vullneti madhor në një çështje mbi të cilën në parim janë të gjithë dakord, dhe ska asnjë arsye për ta ndryshuar. E rëndësishme për ne sot është një vendim pozitiv për vendin. Opozita duhet të votojë paketën e nëntorit në të cilën gjenden rekomandimet e BE-së dhe kanë mundësinë të mos kërkojnë shtesa e detyrime të reja jashtë paketës të marrëveshjes së nëntorit, për të cilën kanë premtuar se do ta votojnë”, deklaroi nga Brukseli, ministrja e Integrimit.
Ndërkohë në fjalën e tij në forum, Ministri Panariti theksoi se integrimi evropian përbën një objektiv të unifikuar për të gjithë politikën shqiptare. Qeveria shqiptare është e angazhuar të inkurajojë fuqimisht dialogun konstruktiv midis palëve për arritjen e kompromiseve të nevojshme për plotësimin e 12 kritereve të vendosura nga BE-ja për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria. Ai u ndal në hapat konkretë të ndërmarrë muajt e fundit nga politika shqiptare për plotësimin e kritereve të lartpërmendura, si: reforma zgjedhore, kufizimi i imunitetit, reforma administrative dhe gjyqësore, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionit etj. Ministri Panariti theksoi se ky progres i arritur do të thellohet nga vazhdimi i mëtejshëm i përpjekjeve të përbashkëta, si të maxhorancës ashtu edhe të opozitës, për plotësimin e kritereve para paraqitjes së raportit të progresit të Komisionit Evropian. Gjithashtu, n¬ë fjalën e tij, ai u ndal në politikën rajonale të Shqipërisë, e cila i ka shërbyer fuqimisht stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ai shprehu besimin se Komisioni Evropian në raportin e tij do të njoh progresin e bërë nga Shqipëria dhe do të kurorëzojë një aspiratë të popullit shqiptar për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE.
Gjatë konferencës pjesëmarrësit bënë një analizë të ecurisë së reformave të ndërmarra në Shqipëri në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe shprehën nevojën e vazhdimit të tyre përpara publikimit të raportit të Komisionit Evropian. Ata vlerësuan progresin e bërë në vend nga nëntori i vitit të kaluar dhe theksuan vazhdimin e punës në këtë drejtim. Në këtë kontekst u vu në pah roli që Shqipëria luan në rajon, si një faktor shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin. Më tej, Ministri Panariti dhe pjesëmarrësit në panelin drejtues të konferencës iu përgjigjën pyetjeve të të pranishmëve.
L. Lita