E Diel, 1 Nëntor 2026

Jap dorëheqjen nga Tirana po u tolerua

Trajneri i Tiranës, Hulian Rubio

Tirana/ Trajneri Rubio reagon pas akuzave të ndeshjes me Flamurtarin.

“Në Vlorë ishte një fitore e merituar, nuk pati lëshime”

Trajneri i Tiranës, Hulian Rubio, në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”, ka analizuar sfidën e së dielës duke filluar nga suksesi, paraqitja e të tijve, e për të kaluar te akuzat për shitje që hodhën sportdashësit vendës. Tekniku shpjegon se ajo ndeshje nuk ishte absolutisht e shitur, pasi gjëra të tilla kuptohen lehtë. Mirëpo, edhe nëse do të ndodhte, ai nuk do ta miratonte kurrë, madje më mirë do të pranonte largimin drejt Spanjës.
Një fitore e rëndësishme në Vlorë, sa vlen për Rubion?
Tri pikë.
Vetëm kaq?!
Po sigurisht, por përveç tri pikëve mund të shtoj dhe një dozë shumë të mirë morali. Ishte një ndeshje e mirë, të cilën duhet ta fitonim dhe pikërisht këtë bëmë, u futëm në fushë dhe e fituam.
Pas kësaj sfide besoni se kjo Tiranë është për titull?
Kanë mbetur edhe shumë javë për të folur për këtë çështje.
Mirëpo, pas kësaj ndeshjeje, të gjithë kërkojnë titullin…
Është logjike, madje edhe vetë neve na është shtuar vetëvlerësimi. Sigurisht që po luftojmë për titullin, ky është objektivi, por nuk duhet t’i marrim lehtë gjërat. Ne vazhdojmë të jemi një ekip me shumë probleme. Këtu flas për ndëshkimet, dëmtimet, e në të tilla kushte duhet të jemi me këmbë në tokë, le t’i marrim ndeshjet një e nga një, në fund le t’i bëjmë llogaritë.
Tifozët e Flamurtarit lëshuan akuza ndaj ekipit të tyre, duke thënë në kor: “E shitët, e shitët”. Çfarë mund të na thoni në lidhje me këtë?
Unë e pashë ndeshjen, sikundër edhe shumë të tjerë e kanë parë. Por dua të them vetëm diçka, që kur lihet apo jo një ndeshje, një gjë e tillë kuptohet shumë shpejt dhe kjo dje (pardje) nuk ndodhi. Kur unë për shembull në një moment të caktuar shoh që një lojtar imi toleron një takim, apo edhe e kundërta, pra na bëjnë favore skuadrat e tjera, pranoj më mirë të iki direkt në Spanjë. Nuk do qëndroja asnjë ditë më shumë.
Me kthimin drejt kryeqytetit keni ndaluar në Lushnjë dhe keni festuar me tifozët…
Po e vërtetë, na prenë rrugën, duhet të ndaleshim (qesh). Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t’i falënderoj, pasi janë ata që na japin zemër dhe na mbështesin në çdo sfidë, qoftë kur jemi në transfertë. Dhe po nuk festuam me ta, me kë tjetër mund ta bëjmë një gjë të tillë?!
Në Shqipëri po ju cilësojnë si një strateg apo komandant për punën e bërë me Tiranën. A ndiheni i vlerësuar?
Unë i falënderoj të gjithë për fjalët që thonë për mua, por unë i vlerësuar jam ndier që në fillim, që në momentin kur shkela për herë të parë në Shqipëri dhe te Tirana. Por dua të them diçka, që trajnerët nuk janë asgjë pa lojtarët. Ata po japin rendiment të lartë dhe këtu jemi falë tyre.
Ndeshja e kupës me Kastriotin po paragjykohet pa filluar mirë, çfarë do të ndodhë në këtë takim?
Do të ndodh që unë do hedh në fushë ekipin më të mirë që kam në dispozicion, pa ruajtur asnjë, përveç të dëmtuarve që nuk dua t’i rrezikoj. Do ta luajmë si të ishte ndeshje kampionati dhe nuk do të tolerojmë.
Pas kësaj sfide pritet të hidhet edhe shorti i gjysmëfinales, ka një preferencë Rubio për kundërshtarin e radhës?
Jo, sepse nuk e kuptoj absolutisht këtë formulë që praktikohet këtu në kupë dhe s’më pëlqen. Mua nuk më duket normale që të luash në fazën me grupe dhe të dalësh i pari, sikundër kemi dalë ne dhe në fund të mos vlerësohesh. Kjo është e pakuptueshme, vetëm këtu në Shqipëri ndodh. Megjithatë, nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të pranojmë rregullat e lojës.
Po për Vllanzinë keni filluar të mendoni?
Vllanzia, jo s’e mbaj mend. Tani për tani po mendoj vetëm për Kastriotin, ka kohë deri në fundjavë.
Sot (dje) në Spanjë është Dita e babait, a ju kanë uruar fëmijët?
E vërtetë, por jo nuk më kanë uruar dhe më duhet t’i qortoj për këtë (qesh).

8 muaj ka Rubio te Tirana dhe që atëherë ai është duke bërë një punë për t’u vlerësuar. Ai është trajneri i parë spanjoll, që drejton 1 skuadër shqiptare në historinë e këtij vendi

33 ndeshje ka drejtuar Rubio me Tiranën (në të gjitha kompeticionet, në Europë, kampionat e kupë). Bardheblutë me spanjollin kanë fituar 24 ndeshje, barazuar 6, humbur vetëm tri të tilla.

ADELA MERKO

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›