Rama: Duam një President të pranuar nga të gjitha palët

Kreu i PS, Edi Rama
Kreu i PS: Jam ftuar nga Departamenti i Shtetit.
Policia nuk ka gjetur prova se pas protestës së 21 janarit ka qëndruar një plan i PS për dhunë
Kreu socialist, Edi Rama, në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se Presidenti i ri duhet të jetë i pranuar dhe votuar nga të gjitha palët. I pyetur nëse PS do të mbështesë kandidaturën e Fatos Nanos për President, Rama nuk u përgjigj drejtpërdrejt, por theksoi se ne mendojmë se Shqipërisë i duhet një President i shqiptarëve dhe garant i institucioneve që varen nga Presidenca.
Fillimisht dua tju pyes për takimin e nesërm që keni në Departamentin e Shtetit. Çfarë prisni ju nga ky takim?
Ky është një takim që bëhet me ftesë nga Departamenti i Shtetit dhe për mua është një kënaqësi e veçantë që në hapësirën e këtij takimi të mund të forcojmë komunikimin në funksion të interesave të përbashkëta, që janë interesa që lidhen drejtpërdrejt me mbarëvajtjen e punëve në Shqipëri, me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe me transformimin e jetës në Shqipëri në funksion të qytetarëve për një shtet funksional dhe në shërbim të standardeve demokratike.
Z. Rama, në kuadër të reformave që Shqipëria duhet të kryejë për të arritur synimin e saj madhor në drejtimin e politikës së jashtme, që është integrimi në Bashkimin Europian, siç thatë edhe ju, duhet pjesëmarrja e të gjithë shoqërisë, por kryesisht e dy forcave politike dhe angazhimi i tyre. Por, dy partitë më të mëdha, PD dhe PS, deri më sot fajësojnë njëra-tjetrën për ngecjen, bllokimin e procesit. A mendoni ju se Shqipëria do të jetë në gjendje që në fund të vitit të marrë statusin e kandidatit?
Unë besoj që pavarësisht se çfarë thonë palët, është shumë e qartë që integrimi në Bashkimin Europian është një proces, i cili zhvillohet mbi bazën e rekomandimeve të vetë Komisionit Europian. Ndaj dhe rekomandimet e Komisionit Europian janë të qarta. Opozita shqiptare ka marrë përsipër të gjithë pjesën e vet, ndërkohë që i takon qeverisë që të marrë përsipër pjesën e saj. E, nëse në atë pjesë që ne kemi marrë përsipër gjërat duket se po shkojnë më së miri pasi kemi krijuar kushtet për një konsensus të rëndësishëm në sallën e Kuvendit, në pjesën që i takon cilësisë së qeverisjes, që lidhet me luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që lidhet me performancën e sistemit gjyqësor e kështu me radhë, duket se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. E pra, le të jemi të qartë, është e lehtë të fajësojmë njëri-tjetrin, siç është e lehtë që në gjykimin e palëve të mbetemi te përcaktimi se të gjithë janë njësoj, por jo vetëm të gjithë nuk janë njësoj, por nuk kanë të gjithë njësoj të njëjtën përgjegjësi. Është absolutisht e qartë që përgjegjësia kryesore për mbarëvajtjen e punëve në një vend është përgjegjësia e qeverisë dhe barra kryesore për të shkuar drejt marrjes së statusit është përsëri e qeverisë. Ne do të bëjmë gjithçka është në dorën tonë që Shqipëria të mos e humbasë për të tretën herë mundësinë për të marrë statusin e kandidatit.
Le tju pyes për një prej këtyre reforma, që është një ndër reformat më kryesore dhe më të mprehta në Shqipëri. E kam fjalën për reformën zgjedhore. Shumë përplasje midis dy forcave kryesore. Ajo duhet të përfundonte në fund të shkurtit, por mandati është shtyrë tashmë për në fund të prillit. Ku i shikoni ju problemet më të mëdha që dy forcat kryesore nuk po bien dakord për përfundimin e kësaj reforme që po vonohet?
Në tryezën e reformës zgjedhore ne kemi vendosur pikat ku mendojmë se duhet të fokusohen palët në funksion të asaj çka ka konstatuar dhe pastaj rekomanduar misioni i OSBE/ODIHR-it. E në rast se në çështje si ato që lidhen me përmirësimin e sistemit zgjedhor mund të kemi mungesë dakordësie bazuar në vullnetin politik të secilës palë, në çështje që lidhen me përcaktimin e rregullave të lojës dhe me adresimin e atyre problemeve që kanë shkaktuar gjithë ato situata tërësisht të papëlqyeshme me zgjedhjet në Shqipëri dhe kanë cenuar integritetin e tyre, është e domosdoshme që palët të gjejnë dakordësi, në rast se secila palë do vërtet zgjedhje të lira dhe të ndershme. E kush në këtë përpjekje i bie ndesh parimit të dakordësisë, sigurisht që pastaj është plotësisht i dyshueshëm për mungesë vullneti për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një prej çështjeve, thembra e Akilit do thosha unë, e reformës zgjedhore, është pikërisht çështja e sistemit. A do të vazhdojë PS të këmbëngulë në ndryshimin e sistemit, gjë që maxhoranca e kundërshton?
Ne e kemi bërë të qartë dhe unë e përsëris edhe përpara jush që ka hapësirë për përmirësim të sistemit zgjedhor në funksion të dhënies vlerë të barabartë të çdo vote në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të një përfaqësimi më të drejtë të të gjitha forcave politike që marrin votën e shqiptarëve. Ky është qëndrimi i Partisë Socialiste.
Megjithatë, për të realizuar këtë gjë ju doni dhe votat e shumicës, e cila ka kundërshtuar. Por a parashikoni që reforma zgjedhore mund të kthehet në një problem midis jush dhe aleatëve, të cilët kërkojnë përfaqësim më të madh?
Me aleatët ne kemi një dakordësi të plotë dhe në tryezën e reformës zgjedhore ne flasim edhe me zërin e tyre.
Të kthehemi te një çështje tjetër mjaft e debatuar në Shqipëri, te 21 janari. Ishte një problem që tronditi shoqërinë shqiptare. Nëse janë duke kryer hetime për rolin e policisë, shtetit, për përdorimin e forcës në këtë ngjarje, po ashtu kanë filluar hetime edhe përsa i takon organizimit të vetë ngjarjes. Dhe unë do të ndalem më shumë te kjo, te çështja e organizimit të protestës. Në një intervistë që dha para disa ditësh, ambasadori amerikan theksoi se ka mosmarrëveshje pak a shumë të thella për mënyrën se si e koncepton pala amerikane, qeveria amerikane, ngjarjen dhe si e ka interpretuar Partia Socialiste këtë ngjarje. E pra, si do ti përgjigjeshit ju këtij komenti të ambasadorit, dhe e parë nga sot, a shikoni ju përgjegjësi për mënyrën si u zhvillua rrjedha e ngjarjeve më 21 janar?
Unë mendoj se faktet flasin më mirë se sa çdo koment që unë mund të bëj. 132 persona, ndër protestuesit, janë ndaluar, janë hetuar, janë gjykuar dhe kanë paguar pjesën e tyre të përgjegjësisë në një proces, i cili është deri më sot tërësisht i pabarabartë, sepse ndërkohë që protestuesit e kanë pasur të gjithë pjesën e tyre të përgjegjësisë karshi ligjit, si pjesë të një procesi nga ku kanë dalë edhe të dënuar për shkeljen e ligjit. Nga ana tjetër, vrasësit dhe urdhëruesit e tyre vazhdojnë të jenë të pagjykuar dhe të pandëshkuar, as moralisht, as politikisht dhe aq më keq, as ligjërisht. Partia Socialiste ka qenë dhe mbetet e qartë në qëndrimin e saj, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe për asnjë moment, në asnjë rast nuk i është kundërvënë hetimit dhe gjykimit të të gjithëve atyre që ishin pjesë e një proteste që fatkeqësisht degradoi në dhunë.
Megjithatë, hetimet për përdorimin e forcës vazhdojnë dhe është shpejt të thuhet nëse do të ndëshkohet apo sdo të ndëshkohet njeri, por pyetja ime më konkrete ishte kjo: a kishte synim PS atë ditë të organizonte një protestë të dhunshme dhe të provokonte forcat e rendit?
Absolutisht jo, dhe për më tepër më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj se të gjithë ata që janë hetuar për një dyshim të tillë janë hetuar nga Policia e Shtetit, e cila ka konkluduar që nuk ka pasur asnjë provë të vetme që të mund të vërtetojë hipotezën se pas shprehjes së dhunshme të protestës ka qëndruar një plan i PS-së apo Partia Socialiste si e tërë. Dhe më lejoni të shtoj këtu se për të marrë dëshmi, që do të mu