E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali me listën e Kombëtares

Kombëtarja shqiptare U-17

Ekipi U-17 niset sot drejt Holandës, ku do të luajë në elitë raund të Europianit.

S’publikohen listat. FSHF: Disa lojtarë me probleme dokumentesh.

Kombëtarja shqiptare U-17, e drejtuar nga Xhemal Mustedanagiç, u kualifikua pak muaj më parë në raundin e skuadrave më të mira, ndaj do të vazhdojë rrugëtimin e vet edhe më tej në rrugën për në Euro 2013 për këtë moshë. Skuadra jonë gjendet në grupin e 5-të së bashku me Serbinë, Holandën dhe Irlandën. Takimet do të luhen nga data 22 deri më 27 mars të vitit të ardhshëm në Holandë dhe dy skuadrat e para do të kalojnë në ndeshjet çerekfinale. Sot tifozët shqiptarë nuk e dinë se cila është skuadra e tyre kombëtare, që do t’i përfaqësojë ata në “elite raund” të Euro 2013. Arsyeja është sa e thjeshtë, aq edhe e pazakontë: trajneri boshnjak Mustedanagiç dhe FSHF nuk kanë publikuar listën e lojtarëve që do të udhëtojnë drejt Holandës pikërisht sot. Zyrtarisht është thënë nga federata se lista nuk është publikuar, pasi disa nga lojtarët (ata që luajnë jashtë dhe që nuk kanë lindur në Shqipëri) kanë probleme me dokumentet. Megjithatë, mbetet e dyshimtë se përse është lënë deri sot çështja e dokumenteve të futbollistëve, pikërisht një ditë para udhëtimit. Po kaq e çuditshme është edhe se ku qëndron problemi nëse publikohet lista me të përzgjedhurit e trajnerit Mustedanagiç, ma-ndej nëse ndonjë prej lojtarëve do të haste probleme dokumentesh, fare mirë mund të njoftohej sërish se aksh lojtar nuk udhëtoi për këtë arsye. Mospublikimi i listës së futbollistëve as një ditë para nisjes së aktivitetit ngre dyshime të forta për transparencën dhe për përzgjedhjen e futbollistëve.

Duka
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka zhvilluar një takim me stafin dhe futbollistët e ekipit kombëtar të Shqipërisë për moshën U-17 vjeç. Ai u ka uruar atyre suksese në turneun elitar të Holandës. Presidenti Duka ka kërkuar nga lojtarët e rinj qetësi, performancë e mbi të gjitha të tregojnë vlerat e tyre më të mira sportive, pa u ndikuar nga emrat e kundërshtarëve apo emocionet frenuese.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›