E Diel, 1 Nëntor 2026

Japoni, Aso tërheq komentet naziste

Zëvendëskryeministri i Japonisë, Taro Aso ka tërhequr deklaratat që sugjeronin se vendi mund të mësojë nga reforma kushtetuese e Gjermanisë naziste.

Zoti Aso deklaroi të hënën se, Japonia mund të mësojë teknikën që nazistët gjermanë përdorën për të ndryshuar kushtetutën e Weimarit.

Deklaratat u bënë në një kohë kur Japonia është përfshirë nga debatet në lidhje me kushtetutën pacifiste, që kufizon rolin e ushtrisë në atë të vetëmbrojtjes. Komentet e zotit Aso sollën kritika nga Kina fqinje dhe Korea e Jugut.

Tërheq deklaratat e mia në të cilat kam cituar nazistët si një shembull dhe që çuan në një sërë keqkuptimesh, ka deklaruar Aso, që është gjithashtu ministër i Financave dhe ish-kryeministër.

Është e qartë nga të gjitha komentet e mia se unë kam një opinion negativ për historinë naziste dhe kushtetutën e Weimarit, ka thënë më tej Aso.

Edhe sekretari i kabinetit qeveritar, Yoshihide Suga ka reaguar duke u thënë gazetarëve: Dua të bëj të qartë që kabineti i kryeministrit Shinzo Abe nuk do të ketë kurrë një këndvështrim pozitiv për politikat e qeverisë naziste.

Ditën e hënë Aso tha në një deklaratë se: Kushtetuta e Weimarit ndryshoi, pa rënë në sy, në kushtetutën e Gjermanisë Naziste. Përse nuk mësojmë nga taktikat e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›