Japoni, zgjidhet Kryeministri i ri i vendit
Japonia ka zgjedhur Kryeministrin e ri pas dorëheqjes së Yukio Hatoyamas. Ashtu siç ishte parashikuar, Parlamenti ka zgjedhur zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Financave, Naoto Kan, për të drejtuar qeverinë. Hatoyama u largua pas polemikave dhe debateve të shumta që shpërthyen lidhur me mbajtjen në Okinawa të bazës ushtarake amerikane. Pak orë para zgjedhjes si Kryeministër i vendit, Kan, 63 vjeç u emërua kryetar i Partisë Demokratike e që erdhi në pushtet vitin e kaluar pas një dominimi prej 54 vjetësh të liberaldemokratëve, pikërisht për të zëvendësuar Hatoyamën. Ai arriti të merrte 291 vota nga 420 parlamentarë duke kaluar lehtësisht kundërshtarin e tij të vetëm, deputetin Shinji Tarutoko, që mori vetëm 129 vota. Sadakazu Tanigaki, kreut të liberaldemokratëve, partisë më të madhe opozitare i shkuan 116 vota. Një votim i ngjashëm u zhvillua edhe në Dhomën e Lartë. Kan, është një njeri shumë popullor në Gjermani që mbështet fort politikat për ruajtjen e bilancit dhe reformat në sistemin fiskal përmes rritjes së taksës së konsumit. Aktivist për të drejtat civile në vitet ‘70, ai ka qenë ndër themeluesit e Partisë Demokratike. “Prioriteti ynë kryesor është të ndërtojmë vendin dhe një parti ku të gjithë anëtarët e saj mund të bëhen bashkë dhe të thonë se mund t’ia dalin mbanë”, deklaroi Kan.
Hatoyama i zgjedhur vetëm nëntë muaj më parë si Kryeministri i vendit dha dorëheqjen për shkak të presioneve të mëdha të bëra nga vetë Partia Demokratike në prag të zgjedhjeve për rinovimin e senatit në korrik. Edhe numri dy i partisë, Ichiro Ozawa, dhe dorëheqjen. Ish-kryeministri, i katërti që jep dorëheqjen në katër vitet e fundit kishte pësuar një ulje të madhe të popullaritetit në sondazhe: nga 70 për qind në fillimet e tij kjo shifër kishte arritur në 24. Në maj, ai pranoi se zhvendosja e gjithë bazës ushtarake amerikane nga Okinawa ishte e pamundur. Me pak fjalë ish-kryeministri nuk arrinte të mbante premtimin e bërë gjatë fushatës elektorale për të “lehtësuar” prezencën amerikane në ishullin ku gjendet rreth gjysma e 47 mijë ushtarëve amerikanë në Japoni.
#