Turqia: Do të rishikojmë marrëdhëniet me Izraelin
Pak ditë pas operacionit ushtarak izraelit në brigjet e Gazës një traget irlandez me ndihma është nisur drejt Gazës, bën të ditur organizata "Free Gaza". Kontakti me anijen duket se është ndërprerë, njoftojnë agjencitë e lajmeve. Në bordin e tragetit "Rachel Corrie" ndodhen 15 aktivistë propalestinezë dhe 1.200 tonë mall, me 560 tonë çimento brenda. Kryeministri izraelit, Netanjahu, ka thënë se Izraeli nuk do të tolerojë asnjë shkelje të bllokadës në Gaza, por la të nënkuptohej një zbutje të sanksioneve. Edhe ministri i Jashtëm izraelit, Avidgor Liebermann, është shprehur më parë për radion izraelite se do të ndalohet edhe anija tjetër me ndihma "Rachel Corrie" aktualisht në detin Mesdhe. Lieberman u shpreh edhe mbi kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit: “Unë preferoj më mirë kritika ndërkombëtare, sesa të varros ushtarë. Kjo është njëra anë. Tjetra, flota nuk i arriti brigjet e Gazës dhe asnjë anije nuk do ta bëjë këtë... Mesazhi është i qartë". Nga ana tjetër, Ministria turke e Drejtësisë po shqyrton mundësinë, nëse mund të ngrihet akuzë kundër Izraelit duke u bazuar në të drejtën ndërkombëtare. Turqia sheh në operacionin ushtarak izraelit në brigjet e Gazës një shkelje të rëndë të rregullave ndërkombëtare dhe ka thirrur ekspertë për të parë mundësinë e ngritjes së akuzës kundër Izraelit për rrëmbim, vrasje dhe dhunim lirie. Nga ana tjetër, ajo ka paralajmëruar se mund të reduktojë marrëdhëniet në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes me Izraelin, pas sulmit kundër anijes me ndihma në Gaza. Zëvendëskryeministri Bulent Arnic ka deklaruar se Ankaraja ishte duke vlerësuar marrëveshjet me Izraelin, që dikur ka qenë aleat i saj.
Nëntë aktivistë turq mbetën të vrarë kur komandot izraelitë u ndeshën me pasagjerët në një anije që po përpiqej të shkelte bllokadën në Gaza. Izraeli është kritikuar ashpër për sulmin, i cili u krye në ujëra territorialë mëngjesin e ditës së hënë.
Mbi sa ndodhi ka ende polemika. Aktivistët që ndodheshin në anije thonë se komandot sulmuan të parët, ndërkohë që ushtarakët pretendojnë se u sulmuan me thika. Qeveria turke do të jetë në gjendje të vlerësojë se si të veprojë ndaj Izraelit sapo të kenë kaluar emocionet që kanë përfshirë vendin gjatë varrimit të aktivistëve. Ndërkohë, Izraeli ka bërë të ditur se nuk është e nevojshme ndërmarrja e një hetimi ndërkombëtar në lidhje me incidentin, duke qenë se ai ka respektuar ligjet dhe standardet ndërkombëtare. Hetimin ndërkombëtar për këtë çështje e ka kërkuar edhe Këshilli i të Drejtave të Njeriut. Kryeministri hebre, Natanjahu, tha se trupat e tij nuk kishin asnjë shans tjetër për të vepruar përveçse të kryenin veprimin që kryen. Ai argumentoi se flota nuk kishte për qëllim ndarjen e ndihmave amerikane, por të thyente bllokadën e Gazës. Ishte në interesin e Izraelit që të parandalonte shpërndarjen e raketave dhe të armëve të tjera në Gaza nga ana e Iranit drejt Gazës dhe “Hamas”-it që qeveris këtë vend. Turqia një nga aleatët e paktë që ka Izraeli në rajon ka thirrur ambasadorin e saj në Tel Aviv pas incidentit të së hënës. Presidenti i Turqisë, Abdullah Gul, tha se marrëdhëniet mes të dy vendeve nuk do të ishin kurrë më si më parë.
#