DILNI NGA KY TURP!
Solidaritet për familjen e nderuar të Petro Markos. Redaksia e gazetës “Shqip” fton individë, subjekte, institucione, shoqata e fondacione të shprehin një akt solidariteti jetik në numrat e llogarisë në Raiffeisen Bank Në lekë: 0000251473 Në euro: 0251473.
Arianita Marko është një bijë e letërsisë. Bijë e at-krijuesit të saj, Petro Markos, që për sakrificën e përditshme që kryen në shtëpinë e shkrimtarit, ndanë bulevardit “Zogu i Parë”, është një heroinë e pakrahasueshme sociale. Vite të tëra që u shërben si ajo, nënës së saj, Safos së shumënjohur dhe vëllait poet Jamarbërit. Sot Arianita, gjendet “trup e shpirt e plagosur”.
Nga nëndheu, Petro Markos i duket se po mërmërit atë vjershën e librit “Lot mërgimtari” të vitit 1934 që titullohej “Ha...”.
“Ha vajtim, o i helmuar, ha litar, o atdhetar,/ha gënjeshtra, o ëndërratar.../ hani bar për të jetuar./Hani arkat...hiç mos mbeten/mbretër-sa të hani veten”.
Po pse?
Shkrimtari i madh, ai i të thënit të qenies, atje, në Dhërmi, lëviz eshtrat e veta. Kjo ngjet për shkak të asaj që po ndodh në shtëpinë e lënë në Tiranë, domethënë, mbi dhe. Por, “Lagur syt’ i zu qepalla,/s’kanë të hapen në jetë...”.
Ndaleni këtë turp të sotëm! Ndaleni!
Ajo familje nuk di të ankohet, ajo di të japë prova të pavdekshme qëndrese dhe arti. Jamarbër Marko është një “Ungaret i vërtetë”, i panjohur, i poezisë moderne shqipe. Por ai gjendet në një përpëlitje të tmerrshme prej vuajtjes së trupit të shembur. Po, po, të shembur. Safo, e mira e penelit dhe ikona e dashurisë së shkruar të Petros, është në orët më mundonjëse për Arianitën. Por kush i njeh nga afër, adhuron këtë bijë Dhërmiu, që kaq heroikisht i përcjell ditë-netët në apartamentin e familjes Petro Marko.
Jeta e tyre pas ikjes së Petro Markos nga jeta fizike është një subjekt, para të cilit i paaftë do të ndihej çdo shkrimtar gjenial. Turp për gjithë ata që kanë kujtuar e kujtojnë se e kanë nderuar shkrimtarin e madh me llamarinën e argjendtë “Nderi i Kombit”! Turp për shtetin tonë, turp për kombin tonë, turp për Presidentin, turp për Kryeministrin, e sa e sa turp, për gjithë ministrat e tanishëm dhe të shkuarit e këtij tranzicioni dhe, turp e turp, për gjithë e gjithë të tjerët! Turp për ne!
Por lind pyetja, ç’kërkon kjo familje? çfarë mund të bëjmë? Llogarisni vetëm koston e dy personave që gjenden në mjerimin e mosngritjes nga vendi dhe atë të shërbimit e kujdestarisë jetike në përditshmëri. I gjithë fondi është qesharak, sado kurnace të jetë burokracia. Njerëz dhe institucione, dilni nga ky turp!
“Shqip”, inicion maratonën e solidaritetit për të nderuarën dhe të shtrenjtën familje të Petro Markos. Ne do të jemi të parët. Shteti, po deshi, le të vijë nga mbrapa, fundja kampion i të paqenit dhe i të vonuarit ka mbetur!
#