Japonia alarmohet nga virusi i ri – Rreth 1 mijë të infektuara nga ‘sindroma e shokut toksik’

Autoritetet shëndetësore në Japoni kanë ngritur alarmin pas përhapjes së një infeksioni të rrezikshëm bakterial, të njohur si sindroma e shokut toksik streptokoksik, që ka një shkallë vdekshmërie deri në 30%. Që nga fillimi i këtij muaji, vendi aziatik ka regjistruar 977 raste, ndërsa 77 të infektuar kanë humbur jetën midis janarit dhe marsit, sipas shifrave zyrtare.
Përhapja masive në Japoni tashmë ka tejkaluar rekordin e mëparshëm të vitit të kaluar prej 941 infeksionesh, që ishte edhe më i larti që nga viti 1999. Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive të Japonisë raporton se STSS është një infeksion bakterial i rrallë, por serioz që mund të zhvillohet kur bakteret përhapen në inde, por edhe në gjak.
Pacientët fillimisht vuajnë nga ethet, dhimbjet e muskujve dhe të përzierat, por simptomat mund të kthehen shpejt në kërcënim për jetën me presionin e ulët të gjakut, ënjtje dhe dështim të shumëfishtë të organeve, ndërsa trupi kalon në shok. “Edhe me trajtim, STSS mund të jetë vdekjeprurës” thotë Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA. Shumica e rasteve me STSS shkaktohen nga bakteret e streptokokut të grupit A, infeksion që manifestohet me temperaturë të lartë dhe dhimbje fyti kryesisht tek fëmijët.
Në raste të rralla, streptokoku i grupit A mund të bëhet invaziv kur bakteri prodhon një toksinë, e cila kalon në gjak, duke shkaktuar sëmundje të rënda si shoku toksik. Në mars, autoritetet japoneze paralajmëruan për një rritje të rasteve me këtë infeksion, ndërsa Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive i atij vendi publikoi një vlerësim të rrezikut duke thënë se numri i të infektuarve ka pësuar rritje që nga korriku 2023, veçanërisht tek moshat nën 50 vjeç.
/RTSH/