E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jashtë Drogba dhe Rio Ferdinand, gjymtohet botërori

Sulmuesi i Bregut të Fildishtë kthehet në shtëpi pas frakturës në bërryl. Kapiteni i Anglisë pësoi një dëmtim në gju në stërvitjen e parë të skuadrës në Afrikën e Jugut Dy yjet e Premier League i kanë dhënë lamtumirën evenimentit madhor

E pabesueshme, por e vërtetë: kur mungon më pak se një javë nga starti i Kupës së Botës, aktiviteti në Afrikën e Jugut ka humbur dy protagonistë të padiskutueshëm. Didië Drogba dhe Rio Ferdinand duket se i kanë dhënë lamtumirën evenimentit që do të nisë zyrtarisht më 11 qershor. I pari ka pësuar një frakturë në bërryl, ndërsa mbrojtësi i Anglisë u dëmtua në gju, në seancën e parë stërvitore që skuadra e Fabio Kapelos zhvilloi në tokën afrikane.

Për sa i takon dëmtimit të Drogbasë, ai ka bërë me dhimbje koke trajnerin e Bregut të Fildishtë, Sven Goran Erikson, i cili ka humbur liderin dhe lojtarin më të mirë të skuadrës. Sulmuesi pësoi një dëmtim mjaft të rëndë në krahun e djathtë, gjatë miqësores që përfaqësuesja e tij zhvilloi në Sion me Japoninë. Lojtari i çelsit u dërgua menjëherë në spital për të kryer kontrollet e nevojshme, ndërsa përgjigjja e mjekëve ishte se ai nuk do të jetë në gjendje të luajë në botëror. Gjithsesi, sipas stafit mjekësor të Bregut të Fildishtë, ka shpresa që 32-vjeçari të rikuperohet. Gazeta franceze “L’Equipe” shkruante se Drogba pranoi t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale, duke tentuar me çdo kusht që të japë kontributin e tij për skuadrën. Edhe pse asgjë nuk është e konfirmuar, flitet se ai mund të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë që prej ndeshjes së parë të “elefantëve”, më 15 qershor kundër Portugalisë në Grupin G (ku luajnë edhe Brazili dhe Koreja e Veriut). Sipas rregullave të FIFA-s, skuadrat kanë mundësi t’i zëvendësojnë futbollistët e dëmtuar deri në 24 orë përpara ceremonisë së hapjes së botërorit: kjo bën që Bregu i Fildishtë të ketë dhjetë ditë kohë në dispozicion për të vlerësuar gjendjen e kapitenit. Ndërkohë, sipas informacioneve që vijnë nga Sioni, Drogba i ka konfirmuar shokut të skuadrës, Kolo Ture, se nuk do të jetë në gjendje të luajë në Botërorin 2010. “Na tha se për të botërori mori fund”, deklaroi Ture. “Në fytyrën e tij dukej qartë zhgënjimi dhe e kishim të pamundur që t’i bënim pyetje të tjera. Dëmtimi i Didië është një goditje e madhe, pasi ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për skuadrën tonë”. Gjithsesi, trajneri Erikson ende nuk i ka humbur shpresat: “Ende nuk mund të flasim me siguri. Ka akoma një shans që ai të luajë”. Drogba e mbylli sezonin në Premier League me 29 gola në 32 ndeshje të Premier League, duke ndihmuar çelsin që të shpallet kampion, ndërsa në 70 ndeshje me Kombëtaren ka realizuar 45 rrjeta.

Në telashe është edhe Fabio Kapelo. Mbrojtësi i qendrës së Anglisë, Rio Ferdinand, i cili është një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, nuk do të luajë në Kupën e Botës pas dëmtimit në gju, gjatë stërvitjes së paradites së djeshme. Në vend të tij, kontingjentit të “Tre Luanëve” do t’i bashkohet lojtari i Totenhemit, Majkëll Douson. Vizita mjekësore konfirmoi se lojtari i Mançester Junajtid ka dëmtuar ligamentin e gjurit të majtë, ndërsa ai u largua nga klinika me paterica. Pavarësisht se mungesa e mbrojtësit me shumë eksperiencë cilësohet si një makth, trajneri Kapelo është ngushëlluar me faktin se mbrojtësi Geret Berri po rikuperohet dita-ditës. Gjatë konferencës së të premtes, trajneri u shpreh optimist për paraqitjen e skuadrës së tij dhe theksoi se ka besim te potenciali i Anglisë. Dëmtimi i Ferdinand ishte një humbje, edhe sepse lojtari shihet si një lider brenda dhe jashtë fushës, ndërsa tashmë shiritin e kapitenit do ta mbajë mesfushori i Liverpulit, Stiven Xherard. Kandidatët për të zëvendësuar yllin e Junajtid në qendër të mbrojtjes përkrah Xhon Territ, janë Ledli King dhe Xhemi Karrager.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›