E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jashtëstandard dhe brendastandard

24-08-2012 / Nga Eden Babani

Më shkrepi sot që shkrimit tim të radhës, t’i vë një titull kësisoj, duke sajuar  fjalë që nuk i ka Fjalori i Gjuhës Shqipe. I kërkoj falje lexuesit, sigurisht, edhe zotit kryeredaktor të 55-s, për këtë tekë të çmendur që më kaploi krejt papritur, si edhe për shkrimin, jashtëstandard ose brendastandard, le ta marrë kush të dojë, si të dojë.
A ngase jam i lidhur pas disa punëve të mia vetjake, a nga përtesa ose nga humori i ditës, nuk po mund të shkruaj siç shkruhet rëndom. Nuk po përpiqem të gjej as strumbullarin e temës, as argumentin, as të kundërtën e argumentit etj. Nuk po përpiqem ta zgjedh fjalën e ta lëmoj frazën si rëndom, që shkrimi të ishte sa më i kuptueshëm për cilindo që do ta lexonte. Po i bie për shkurt. Kam përpara një fragment, sipas meje  jashtëstandard, të deklaratës më të fundit publike të zotit Beqja, padyshim zëri më i fuqishëm i propagandës PS-iste gjatë pushimeve përcëlluese të gushtit. Kam edhe komentet e komentuesve, sipas meje brendastandard, të cilat po i citoj të plota.
Me thënë të drejtën, komentet në përgjithësi, të kujtdo qofshin, i kam shumë për zemër dhe i lexoj me ëndje. Shkruar si shkruar, ashtu siç i vjen tjetrit spontanisht, por të çiltërta, ani se me ndoca gabime gjuhësore lehtësisht të ndreqshme, ato ngjajnë si filtër i opinionit publik për qasje politike, ekonomike, sociale a kulturore, ndonëse shpesh nuk pajtohem me shkeljen e etikës, nuk i gëlltis dot fyerjet me fjalë nga më të ulëtat, tërësisht të papranueshme për t’u hedhur në qarkullim mediatik. Ka raste që s’pajtohem me komentin, në tërësi. Paçka. Mësoj, të paktën, përse janë  çakërdisur delet e shkëputura nga tufa.
Komentuesve, u kërkoj të falur që kam vënë dorë në komentet e tyre. E kam bërë me qëllimin e mirë për do ndreqje gjuhësore, të cilat, ç’ është e vërteta, më hëngrën pak kohë, por ishin të domosdoshme për hir të respektit ndaj gjuhës. E siguroj lexuesin – atë që nuk ka kohë, mbase edhe mundësi, të hyjë në internet, ku publikohen komentet - se, me përjashtim të ndreqjeve gjuhësore dhe të ndonjë shenje pikësimi që s’ia ka prishur kuptimin frazës, nuk kam prekur asgjë tjetër. Komentuesit, kam besimin e patundur, do ta vërtetojnë vetë.
Shtoj se kam cituar pa përjashtim të gjitha komentet e publikuara deri në orë 18.30 të datës 22 gusht, kur m’ u desh ta nis shkrimin për në redaksi.
Një koment të vogël, ndoshta të panevojshëm, kam frikë se s’do të ndahem pa e bërë në fund. Dreqi, s’ më ndahet e s’ më lë rehat...

* * *
Dhe tashti, në temë.
Beqja: Fragmenti i tij (jashtëstandard) nga deklarata botuar në një të përditshme, në rubrikën “Lajmi i fundit”: ”Do të rishikojmë të gjitha kontratat në dëm të shqiptarëve të lidhura për interesa të oborrit të Saliut, qoftë familjar, qoftë politik, të Fazlliçit apo të Fazlliçëve.”- tha Beqja.
Komentet (brendastandard):
Durimi: “Mirë e ke o Beqo, por nuk të lë partia t’i bësh këto, sepse gjithë tenderët e kontratat ju i kini fituar. Ju miliarderët e PS-së. Ti vetë je fitues tenderi dhe tek ministritë e Berishës. Dhe tek Bashkitë e Dakos së Edvinit. O po bëni qejf”.
Fatmir Xhelili: “Z.Beqja ! Është tragjedi për ne, socialistët, që partia jonë të dëgjon ty (dhe sojin tënd), duke na hequr edhe shpresën e vakët për të ardhur në pushtet. A e ke menduar ndonjëherë, kur deklaron se “do të rishikojmë dhe anulojmë kontratat e Saliut”, se sa shqiptarë dhe familje jetojnë duke punuar sipas këtyre kontratave? E po mëso se nga asnjëri prej tyre nuk marrim votë pro PS-së, edhe sikur të jenë militantët më të zjarrtë, sepse para fitores së PS-së, është buka e përditshme që duhet të shpien në shtëpi. Por ti dhe ata që rrinë pranë kryetarit tonë, nuk mund ta kuptoni  ketë. Ju nuk e dini se ç’ dhimbje e madhe është kur fëmija, edhe pse i talentuar, nuk shkon dot në shkollë, por punon për bukën e gojës në fabrikë këpucësh apo rrobaqepësi për 10000 lekë në muaj. Po pse, po të votuam ty, ç’do të bësh, se me shprehjen ”ne jemi ndryshe dhe do të bëjmë ndryshe” vetëm veten tuaj gënjeni. Dhe është shenjë shumë e keqe kur njeriu fillon e beson gënjeshtrën qe e ka thënë vetë. Nëse keni alternativë, hajde të punojmë së bashku, në të kundërt, na lini rehat në hallet tona (të paktën mos na i shtoni). Respekte.”
EdiRuci: “Sa tenderë të Salës ke fituar zotrote?”
Real: “Po kontratën me anë të së cilës more nga bashkia e Durrësit jo pak po rreth 160 mijë euro, për një instalim që bëre, duke e fituar tenderin “me zotësi !”, do ta anuloni, thua? Se kjo ishte në çdo anë e paligjshme, sepse ju ishit edhe deputet, që nuk të lejohej të merreshe me biznes… Po kërkesën e prokurorisë dhe vendimin e kuvendit për heqjen e imunitetit e keni anuluar? Na sqaro diçka..”
Kastriot: “Mazhoranca s’ka bërë shumë gabime në katërvjeçarin e dytë.”
Iliri: “A,  mjerë ky vend, po erdhët ju në pushtet. Në qoftë se  këta vjedhin me trasta, ju vidhni me thes, jeni me të vërtet njerëz të korruptuar dhe pa moral, ju dhe kryetari juaj radhiteni ndër njerëzit më të pasur të rajonit, në një vend ku njerëzit punojnë për një copë bukë.”
Beni: “Bo për çfarë do t’i shohësh kontratat dhe ku është gabimi nuk po e thua. Apo i do për vete siç bëre me kontratën e Durrësit. Mos kujto se e kalove kollaj atë kontratë që vodhe. Ta fal politika, por s’ta falin kompanitë private.”

* * *
S’ më lë dreqi rehat, pa bërë komentin tim. Po shkurt, sepse kam frikë mos më marrin për brendastandard, çka do ta ligështonte zotin Beqja, mbetur vetëm, pa shoqërinë një tjetri jashtëstandard, si unë me shkrimin e sotëm.
Megjithatë, pyetja ime për lexuesin: Duke iu referuar një organi mediatik me pretendime paanësie, sa shanse ka e majta për një rotacion të mundshëm të pushtetit në zgjedhjet e 2013-s, kur edhe vetë socialistët nuk i besojnë më?

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›