E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kërcënon Blushin dhe shmang forumet

24-08-2012 / Gazeta 55

Vizita më e fundit e Edi Ramës në Korçë, është një dëshmi e anashkalimit të të gjitha forumeve të PS-së. Ndërsa njerëzit e oborrit të tij personal, prezentë në këtë takim, do të jenë dëshmitarët e dënimit me vdekje të forumeve të partisë së tyre dhe të shpalljes së privatizimit të saj. Takimi më i fundit në Korçë, përveçse një “demonstrim force” i Edi Ramës në shtëpinë elektorale të Ben Blushit, ishte edhe një mesazh për t’ju përcjellë oborrtarëve së s’duhet të mërziten, pasi Vilajet Qyrku nuk do t’u marri hapësirën
 
Afrimi i nisjes së sesionit të ri parlamentar detyroi kreun e partisë Socialiste të mbledhë në një takim gjysmë privat jeniçerët besnikë, oborrin e tij personal. Edi Rama ndodhet në qytetin e Korçës me grupin bashkëpunëtoreve të besnikë, Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Erion Veliaj (i njohur si Vilajet Qyrku), Ilir Beqja e Endri Fuga për të ravijëzuar piketat e sipërmarrjes politike, duke shmangur forumet e partisë. Përzgjedhja e këtyre emrave sigurisht nuk është e rastësishme pse Gramoz  Ruçi së bashku më Fatmir Xhafajn përfaqësojnë shtyllën kurrizore të partisë, apo pse Vilajet Qyrku, Ilir Beqja janë mendja e partisë prej së cilës dalin kinse “programe” për emigracionin e rininë, ekonominë dhe integrimin... Por sepse të gjithë këta emra, janë dëshmitarë të dënimit me vdekje të forumeve dhe të shpalljes së privatizimit të PS-së.
Për logjikën e brendshme të partisë Socialiste mbledhja në Korçë ka simbolikën e saj. Prania e Ramës në Korçë me lejtnantët e kudogjendur Vilajet Qyrku, Fuga, dhe Beqja është një demonstrim force në shtëpinë elektorale të Ben Blushit, një prej kundërshtarëve të brendshëm të linjës radikale e penguese të integrimit. Dihet deri më sot nuk ka pasur një deklaratë publike apo mendim të Ben Blushit për përmbylljen e reformave Integruese as për heqjen e imunitetit duke i qëndruar larg marrjes së përgjegjësisë kolektive en-block përballë kërkesës së ndërkombëtarëve. Shefat e sektorëve të politikës së kancelarive të Europës dhe Uashingtonin jo vetëm që e kanë  mirëpritur qëndrimin stoik të Ben Blushit, por në një farë mënyre e kanë inkurajuar me mesazhe. Ndaj vjen takimi i Ramës  në Korçë si një mesazh për Blushin, i cili i vendosur me shpatulla pas murit të pushkatimit ose gjallimit, duhet të mbajë një qëndrim për politikën zyrtare të Ramës për reformat integruese dhe çështjen e imunitetit përndryshe rrezikon të “penalizohet” për thyerje disipline politike.  
Ndërkaq ky takim informal i grupit të Ramës është dhe një mesazh i koduar për të munguarit e mëdhenj Braçe, Malaj, Harasani, Bello, e shumë të tjerë apo shumë deputeteve (Vali Leskaj, Arta Dade, Shega Ligori, etj) që duhet rreshtohen pa rezerva nëse duan të jenë në listën e deputetëve  të zgjedhjeve parlamentare të 2013.  Padyshim shumë deputetë socialistë do të jenë ndjerë të fyer për këtë shmangie dhe do të protestojnë në heshtje për këtë takim të një simbolike të veçantë. Por në këtë takim sektar të thirrur prej Ramës fshehtësia e ritualeve dhe e strategjisë së ardhshme politike është aq e rëndësishme sa që vendimet do të merret me dyer të mbyllura, pa pasur rrezikun e një dekonspirimi të mundshëm të pabesëve.
Megjithatë ajo që bie më shumë në sy është anashkalim i forumeve partiake, sidomos Asamblesë së kryesisë apo mbledhjes së grupit parlamentar të PS, ku mund të diskutohet idetë, platforma, strategjia politike e parlamentare, plan-veprimi apo logjistika dëften për privatizimin e vendimmarrjes politike e ideore të kryetarit të partisë Socialiste, Edi Rama. Kolegjialiteti dhe transparenca e vendimmarrjes politike të një partie të madhe opozitare që kërkon të qeverisë vendin në një të nesërme është kusht i domosdoshëm pa të cilën s’mund të neglizhohet nga qytetarët apo opinion publik në tërësi. Mjerisht, në PS gjithëpërfshirja e interesave dhe transparenca e vendimmarrjes politike është narkotizuar për t’i hapur vende vendimmarrjes sektare, ku programi i “Rilindjes Shqiptare” diskutohet në kafene.
Ndërkohë jo besnikët e kultit Rama në PS s’duhet të mërziten, pasi Vilajet Qyrku s’do u marri hapësirën në zemrën që rreh përtej së majtës dhe së djathtës. Në këtë privatizim të opozitës të gjithë mund të marrin një pjesë nëpërmjet obligacioneve kundrejt pagesës së indulgjencës së kryetarit ose siç ka qejf të thërritet Shefi i Madh. Afaristët e miliarderët e  Partisë Socialiste duhet të lexojnë këtë mesazh si një hapje të ofertave për blerjen e mendjes dhe zemrës së Shefit, pasi në këtë mënyrë do ta gjejnë emrin dhe mbiemrin në listën e deputetëve me imunitet vitin e ardhshëm.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›