Jasmin, "lulja" që çeli në koshin e plehrave

Mjekët e maternitetit të Pogradecit tregojnë historitë tronditëse të foshnjave të braktisura. Kjo është plagë e shoqërisë
Një ditë qershori, Jasmina u gjet e lidhur me kordonin rreth qafës në një kazan plehrash. Askush nuk e mendonte se një lule do të çelte pikërisht aty. Ajo u braktis në vendin më të papërshtatshëm, por kjo nuk e ndali Jasminën të nxirrte zërin për të dhënë sinjalin se ishte aty dhe donte të jetonte.
Dhe në fakt, fati i Jasminës është këtu, sepse një çift amerikan po kërkon adoptimin për t'i dhënë fëmijës një familje dhe dashurinë e tyre. Gazetarët vrapuan ku mundën për të gjetur nënën që kishte hedhur foshnjën e saj në koshin e mbeturinave. Që nga ajo ditë më tërhoqi historia e bebes.
***
"Dëgjova një zë të mekur foshnje, por ende nuk isha e sigurt se ishte bebe, më ngjasonte edhe me zërin e një kotele të vogël. U afrova dhe vështrova kazanin, por nuk u besova syve. Pash një foshnje të sapolindur të lidhur me kordonin rreth qafës dhe të mbështjellë në një plastmas", - më thotë Irena Lamçe, një punonjëse e pastrimit të rrugëve në qytetin e Pogradecit.
Ky fat nuk është vetëm i Jasminës, pasi dhjetëra foshnje braktisen dhe shefi i pavijonit Obsetrik në maternitetin e Pogradecit përmend disa nga këto histori që ndodhin në qytetin e tyre. Duke dhënë apelin për partnerët që të përdorin metodat moderne kontraceptive, bluzat e bardha theksojnë se vetëm kështu mund të shmangin plagën sociale të braktisjes së fëmijëve.
***
Bluzat e bardha e kanë quajtur Jasmina, emër luleje dhe njëkohësisht edhe kontraceptivi, ndërsa për mbiemrin nuk kanë preferuar të jenë kaq modern, sepse i kanë vendosur ermin e vendit ku është gjetur dhe pikërisht Kazani.
"Foshnja erdhi në një gjendje shumë të keqe shëndetësore, pasi temperatura i kishte rënë shumë. Kordonin e kishte rreth qafës dhe ishte e mavijosur. Na u desh përkujdesje në maksimum që ta shpëtonim dhe për fat ia arritëm", - thotë mjeku neonat, Nexhmi Elezi, i pari që e ka pritur në maternitet.
"Foshnja ishte e mbështjellë me plastmas dhe mund të ketë ndenjur rreth dy orë në kosh, ndoshta e ëma e dinte se dikush do ta gjente, por kjo pak rëndësi ka", - pohon ai, duke shtuar se Jasmina tashmë është gjallë dhe kanë vendosur që mbiemrin Kazani t'ia kthejnë Kanani që të mos e ndjekë hija e braktisjes.
***
Qyteti i vogël dhe i bukur është tronditur edhe herë të tjera nga braktisjet aspak njerëzore që u kanë bërë nënat bebeve.
"Nënat duhet të mendohen mirë para se të arrijnë në pikën kritike që të mbeten shtatzënë dhe më pas të bëjnë krim duke i braktisur ato", - kështu shprehet mjeku Refki Pere, i cili na tregon një skulpturë në murin e maternitetit të një nëne që mban në krah beben e saj... "Më ka rastisur një herë të shoh një nënë tek vraponte fshehurazi nëpër maternitet, një ditë pasi lindi.
Ajo donte të braktiste beben e saj dhe unë nuk dita ta ndaloj. Pasi njoftova policinë dhe në bazë të përshkrimeve e gjetëm, por ajo sërish nuk pranoi të merrte beben e saj dhe unë i bëra një lutje të fundit që t'i jepte qumësht nga gjiri i saj dhe më pas të largohej. Ishte lidhja që i krijoi sapo e ushqej të birin dhe vendosi të mos ndahej më prej tij", - tregon mjeku Pere.
Xhorxh Strurm pohon se në fillim të muajt shtator kanë procesin gjyqësor për të adoptuar Jasminën
Jasmina, me prindër amerikan
Udhëtojnë çdo javë për ta vizituar në brefotrofin e Korçës. Në muajin shtator kanë procesin gjyqësor për të fituar të drejtën e adoptimit dhe shpresojnë që ta fitojnë këtë proces.
E përzgjedhura për ta është Jasmina, foshnja, e cila u gjet e braktisur në një kazan mbeturinash thuajse një muaj më parë në Pogradec, ngjarje e cila duket se ndikoi tek çifti për të marrë një vendim të tillë.
Ata janë 58 dhe 55 vjeç dhe jetojnë prej 11-vitesh në Pogradec. Edhe pse janë prindër të gjashtë fëmijëve, Xhorxh dhe Nensi Strurm kanë vendosur të adoptojnë një fëmijë shqiptar. Kanë mësuar të flasin gjuhën shqipe shumë mirë dhe janë të gatshëm për të folur për gazetën pa qenë nevoja për përkthyes. "Çdo fëmijë është dhuratë e zotit.
Pak e rëndë ta gjesh në koshin e plehrave, por nuk mundemi të gjykojmë askënd", - pohon amerikani Xhorxh Strurm, i cili pohon se ishte në kishë dhe dëgjoi një motër që pyeti nëse kishin dëgjuar për atë beben që ishte gjetur në mëngjes në kazan, duke theksuar se menjëherë mendoi se duan të shikojnë atë vajzë dhe të nesërmen shkuan në spital.
Tashmë, sipas tij, çdo gjë është gati për të pritur anëtaren më të re dhe më të vogël të familjes Strurm, por po presin të gjitha procedurat ligjore për ta adoptuar. Prindërit adoptues i kanë përgatitur dhomën e saj me padurimin për t'i ofruar dashurinë e mohuar.
Ata kanë blerë gjithçka nevojitet për rritjen e vogëlushes. Jasmin ndodhet në maternitetin e Korçës dhe Nensi udhëton çdo ditë nga Pogradeci për ta parë, pasi siç thotë ajo vetë, që prej momentit të parë që e ka vizituar, nuk mundet të shkëputet më prej saj.
Ndërkohë, 6 fëmijët e tjerë, tashmë të rritur që jetojnë në SHBA, e kanë mirëpritur vendimin e prindërve të tyre.
Zita: Bebet birësohen më shumë se të rriturit
Analizave e të dhënave mbi ecurinë e procesit të birësimeve në vitet e fundit tregon disa prirje. Fëmijët e birësuar zënë 60% të fëmijëve që largohen çdo vit nga institucionet.
Këtë e pohon përgjegjësi i sektorit të fëmijëve në Shërbimin Social Shtetëror, Gazment Zita, i cili thekson se konstatohet se numri i fëmijëve të birësuar brenda vitit është më i lartë në raport me birësimet jashtë vendit (nga 38 birësime për 2009 janë birësuar 20 fëmijë brenda vendit).
Sipas tij, fëmijët e braktisur që në lindje kanë shanse më të larta për t'u birësuar në raport me fëmijët jetimë, të cilët mund të vijnë në institucione në një moshë më të madhe.
Fëmijët e moshës 0-3 vjeç zënë 80-85% të totalit të fëmijëve të birësuar. "Ka vështirësi për birësimin e fëmijëve në moshë më të madhe (10-14 vjeç), si edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Vitet e fundit koha e përgatitjes së një fëmijëve për birësim është shkurtuar, por shpesh në praktikën e gjykatave dhe të institucioneve të përkujdesit konstatohen zvarritje dhe ngadalësim të procedurave", pohon Zita.