Ministria e Mbrojtjes: Anijet-dhuratë ranë në det, por s'u mbytën

TIRANË - Dy anijet e dhuruara nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë rënë në ujë, por nuk janë mbytur. Kështu shprehen burime nga Ministria e Mbrojtjes pas publikimit të lajmit për mbytjen e dy anijeve nga pesë të dhuruara për rojën bregdetare.
Sipas personave që nuk duan të identifikohen, është e vërtetë se kanë qenë pesë anije që i janë dhuruar rojës bregdetare, por dy prej tyre kanë mbetur në brigjet e Mauritanisë dhe pritet që të vijnë në një kohë të dytë.
Mbetja pas e dy anijeve ka qenë si pasojë e rënies në det. Burimet e Ministrisë së Mbrojtjes shprehen se gjatë një fortunali, nga anija që transportonte pesë dhuratat kanë rënë në det dy prej tyre. Por ndërkohë anija ka vijuar udhëtimin e saj, teksa për dy anijet e rëna, të cilat, siç theksohet, nuk janë mbytur, është kujdesur një anije tjetër e cila i ka marrë ato dhe i ka nxjerrë në brigjet e Mauritanisë.
Gjithsesi, nuk bëhet e ditur se përse nuk ka qenë anija transportuese ajo që i ka marrë dy dhuratat me një vlerë prej mbi 2 milionë dollarësh, por pritet një tjetër kohë për mbërritjen e tyre. Ndërkohë, menjëherë pas publikimit të lajmit në gazetën "Shekulli" mësohet se në portin e Durrësit është dërguar personel për largimin e tre anijeve-dhuratë "Arc Angel".
Anijet moderne amerikane kishin në to të stampuar fjalët "Albanian Navy" dhe numrat përkatës të cilët nuk ishin sipas radhës. Mjetet e ardhura ishin me numrat respektivë 1, 3 dhe 5. Në radhën rendore të mjeteve të zbarkuara nga anija transportit "Ascension" mungonin numrat 2 dhe 4 të "Albanian Navy", por rreth këtij fakti nuk u dha asnjë shpjegim nga Ministria e Mbrojtjes, teksa pas publikimit të lajmit u theksua se për këtë duhet të reagonte Ambasada Amerikane.
Ndërkohë, burime konfidenciale bënë të ditur se dy anijet e tjera ishin mbytur në det gjatë ardhjes, në brigjet e Mauritanisë, pasi kishin rënë nga anija-transportuese gjatë një fortunali.