E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: 2000 fidanë të rinj i shtohen habitateve të Parkut Natyror të Qafështamës

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Në Ditën Ndërkombëtare të Pyjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka kontribuuar në shtimin e sipërfaqes pyjore në Parkun Natyror të Qafështamës.

Rreth 2000 mijë fidanë të rinj të llojit pishë e zezë janë mbjellë duke i dhënë më shumë gjallëri kësaj zone të mbrojtur, siç është Parku Natyror i Qafështamës.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj u shpreh se “shtimi i sipërfaqeve pyjore është pjesë e punës sonë të përditshme, por në një moment simbolik si Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, ky kontribut nga AKZM merr një domethënie edhe më të veçantë”.

Parku Natyror i Qafështamës, 25 km në verilindje të qytetit të Krujës, ofron një peizazh magjepsës duke tërhequr jo pak vizitorë, për të shijuar bukurinë e tij.

Mes një natyre të paprekur turistët e shohin Parkun e Qafështamës si destinacionin e duhur për ecje nëpër shtigje, çiklizëm nëpër terrene të thyera dhe kamping.

Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafështama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 metrash dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›