E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Në zgjedhjet e ardhshme lokale synojmë fitoren në çdo bashki

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi u shpreh se në punimet e sotme të Asamblesë janë marrë disa vendime të rëndësishme pas analizës së detajuar për të gjithë qarqet.

Në një prononcim për gazetarët, pas përfundimit të Asamblesë së PS-së, Klosi tha se u miratuan disa vendime të rëndësishme, pas një analize të detajuar të çdo qarku, për sa i përket rezultateve të arritura, dobësive të evidentuara dhe aty ku ka më shumë vend për përmirësim.

“Po ashtu, miratuam planin e punës nga sot deri më 30 qershor për zgjedhjet vendore të PS. Do të organizohet puna e gjithë anëtarëve të Asamblesë dhe strukturës bazë të PS për analizën e çdo organizate, zgjedhjet në çdo organizatë të PS-së dhe anëtarësime të reja. Do të duhet që në çdo organizatë të PS-së të ketë katër shtime të reja në parti, me theks të dedikuar te gratë në parti dhe te grupimi rinor. Do të bëhen zgjedhjet e strukturave lokale të PS-së, proces i cili do të përmbyllet brenda datës 12 qershor”, tha Klosi.

I pyetur nga gazetarët, nëse Ogerta Manastirliu do të vazhdojë të jetë kandidate e PS-së për bashkinë Tiranë, Klosi tha se është ende herët për të folur për emra.

“Sa i përket analizës së detajuar, u evidentuan në çdo qelizë të Shqipërisë rezultatet tona dhe padyshim PS pati një fitore spektakolare në 11 maj. Për sa i përket gjithë territorit, nuk fituam vetëm në bastionet tona elektorale, por fituam në mbi 4000 qendra votimi, mbi 80% të qendrave të votimit në gjithë Shqipërinë”, tha ai.

“Qarqet ku rezultati nuk është fitues dëshmojnë një punë në rritje të partisë. Mund të spikasin Shkodra dhe Lezha, të cilat edhe pse nuk ishin fituese, kanë pasur rritje të konsiderueshme të votës. Në Tiranë, do të duhet të kemi një strukturë më fort të organizuar, duke kuptuar që Tirana rritet, ka numrin më të madh të votuesve socialistë, por edhe mundësi për t’i shtuar ato vota. Kandidatura e Tiranës, është shumë herët për të folur për emra. Do të kemi një fazë analize, si edhe rienergjizim të partisë dhe një Asamble që do të merret me funksionimin, kandidimin dhe punën përgatitore”, theksoi Klosi.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, u shpreh se PS në garën e ardhshme hyn për të fituar të gjitha bashkitë.

“Nuk ka territor që PS nuk synon ta fitojë. Aty ku një socialist qeveris, punët shkojnë shumë më mirë. 83 mandatet janë fitore spektakolare dhe çdo anëtar dhe mbështetës i PS-së duhet të jetë krenar për fitoren e 11 majit. Të gjithë kryetarët e bashkive, ata aktualë dhe ata që do të kandidojnë, duhet të kenë elementin e lidhjes me qytetarët dhe të shtimit të energjisë ekonomike në çdo territor që mbulojnë”, tha ai.

Klosi u ndal edhe te çështja e ngritjes së strukturave të PS për Diasporën në Lokalet 2027.

“Diaspora është një element shumë i rëndësishëm i fitores sonë. PS fitoi edhe në Diasporë, ku 61% të votave të vlefshme të Diasporës ishin për PS, tregues që i jep fitores një dimension të shtrirjes kombëtare, jo vetëm në territor, por edhe jashtë tij. Puna në terren ka qenë e jashtëzakonshme. Do të ngremë struktura, ku përveç Italisë dhe Greqisë, me vendimin e sotëm u përcaktuan Britania e Madhe, SHBA dhe Gjermania”, tha Klosi.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›