E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: Ballkonet panoramikë zgjerojnë potencialin ekoturistik të zonave të mbrojtura

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Disa prej zonave të mbrojtura të vendit do të pasurohen me një rrjet të ri ballkonesh panoramikë.

Ky projekt një nismë e Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) synon të ofrojë për vizitorët eksperienca turistike më të plota, ndërgjegjësuese dhe edukative në natyrë.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur se ky projekt u prezantua sot në kubin “InNature” të Agjencisë Kombëtare e Zonave të Mbrojtura tek Piramida.

“Ky projekt do të krijojë 12 pika panoramike në harmoni me mjedisin dhe karakteristikat e zonave përkatëse, për t’i afruar vizitorët edhe më shumë me natyrën, peizazhet dhe biodiversitetin tonë të jashtëzakonshëm në parqet kombëtare dhe natyrore në të gjitha qarqet e vendit, duke zgjeruar edhe potencialin ekoturistik”, theksoi Jaupaj.

Ministri Jaupaj u shpreh se “ky projekt i ri shkon në të njëjtën linjë me objektivat tona për Kapitullin 27 dhe për afrimin e standardeve shqiptare me ato të Bashkimit Europian, si një proces që kërkon jo vetëm politika, por projekte konkrete në terren”.

Jaupaj i shprehu mirënjohjen ekipit të AKZM dhe partnerëve që sipas tij po e çojnë përpara këtë nismë të bukur dhe të rëndësishme për zonat e mbrojtura.

Ballkonet panoramikë do të shtrihen në 12 qarqet e vendit dhe do të realizohen në pika strategjike që ofrojnë pamje të bukura nga peizazhi shqiptar, si: Parku Kombëtar Mali i Tomorit në  Berat; Parku Kombëtar Lurë-Mali i Dejës në Dibër; Divjakë-Karavasta në Fier; Maja e Kallabakut në Parkun Natyror Korab-Koritnik në Kukës, Parku Natyror Syri i Kaltër në qarkun Vlorë, Parku Kombëtar Mali i Dajtit në Tiranë; Parku Natyror Qafështamë në Durrës; Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës në Gjirokastër; Parku Kombëtar Shebenik në Elbasan etj.

Ballkonet panoramike do të jenë struktura të lehta, të ndërtuara me materiale ekologjike dhe me ndikim minimal në mjedis.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›