E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj: Investime në mjete, pajisje dhe riciklim për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në 8 bashki

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, njoftoi nisjen e zbatimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me GIZ-in, për mbështetjen e 8 bashkive në përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve.

Përmes një videomesazhi, Jaupaj tha se marrëveshja hap një kapitull të ri mbështetjeje për bashkitë, në kuadër të zhvillimit të ekonomisë qarkulluese.

Sipas tij, puna nis menjëherë, ndërsa një fond prej disa qindra mijëra eurosh do të përdoret për blerjen e mjeteve dhe pajisjeve që do të përmirësojnë menaxhimin e mbetjeve dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

“8 bashki fituese do të përfitojnë kontenierë për grumbullimin e diferencuar të mbetjeve, mjete për grumbullimin, pajisje për riciklimin, si dhe mjete pune e pajisje mbrojtëse për punonjësit në terren”, deklaroi Jaupaj.

Ministri theksoi se mbështetja do të lidhet edhe me përmirësimin e cilësisë së shërbimit dhe rikuperimin e kostove, duke e cilësuar këtë nismë si një hap të parë drejt një modeli më të qëndrueshëm të menaxhimit të mbetjeve.

Jaupaj bëri të ditur gjithashtu se, në bashkëpunim me Bankën Gjermane për Zhvillim dhe SECO, po investohet në infrastrukturën afatgjatë të menaxhimit të mbetjeve në zonat e Beratit, Dibrës, Korçës dhe Vlorës.

Investimet parashikojnë ndërtimin e landfillëve bashkëkohorë, stacioneve të transferimit, impianteve të kompostimit dhe qendrave për ndarjen e materialeve të riciklueshme.

“Me GIZ-in po i përgjigjemi nevojave të bashkive, ndërsa me bankën po ndërtojmë infrastrukturën afatgjatë, me më shumë riciklim dhe shërbim më të mirë për qytetarët. Ky është modeli i ri që po zhvillojmë, deklaroi ministri Jaupaj.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›