E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Mbrojtjes: 43 vatra zjarri në 24 orë, 13 mbeten aktive

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e vendit janë raportuar 43 vatra zjarri, prej të cilave 13 vijojnë aktive, 8 janë nën mbikëqyrje dhe 22 janë shuar.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në operacionet për shuarjen dhe monitorimin e zjarreve janë angazhuar 697 forca operacionale vendore e lokale dhe 68 automjete zjarrfikëse.

Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 314 efektivë, 8 automjete zjarrfikëse, 1 autobot, 29 mjete, 5 autoambulanca dhe 1 dron. Gjithashtu janë realizuar 4 operacione me helikopterë.

Për ditën e sotme parashikohet vijimi i angazhimit të rreth 252 forcave ushtarake, 28 automjeteve, 2 autoambulancave dhe 1 droni.

Në qarkun Tiranë, zjarri në Malin e Dajtit vijon aktiv në pyll ahu dhe shkurre, por pa rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës së djeshme u angazhuan 25 zjarrfikës, 7 forca të ADZM-së, 55 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Sot operacionit do t’i shtohen rreth 50 forca ushtarake. Vatrat në Kryezi, Malin e Bërzhitës dhe Mali me Gropa janë nën mbikëqyrje.

Në qarkun Dibër, aktive mbeten vatrat në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Në Lundre–Madhesh operacioni është mbështetur edhe nga Forcat e Armatosura, ndërsa sot do të angazhohen rreth 30 forca ushtarake. Për këto vatra nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Lezhë, vatra në Gallatë të Kurbinit vijon aktive në terren të vështirë, por pa rrezik për banesat. Angazhimi më i madh vijon në aksin Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku gjatë ditës së djeshme operuan rreth 100 forca vendore e vullnetare, 124 efektivë të FA-së, 16 mjete, 2 ambulanca dhe një helikopter. Sot operacionet do të vijojnë edhe me rreth 50 forca ushtarake.

Në qarkun Shkodër, vatra mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz mbahet nën mbikëqyrje. Aktive janë vatrat në Mnelë e Vogël, Bardhaj–Myselim dhe Mali i Tërbunit. Në Mnelë e Vogël janë raportuar dy banesa në rrezik, të cilat po mbrohen nga forcat zjarrfikëse. Operacioni dje u mbështet edhe nga 27 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse, një autobot dhe një helikopter. Në Bardhaj–Myselim dhe Tërbun nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Sot FA do të vijojë mbështetjen me rreth 80 efektivë në këto tri vatra.

Në qarkun Elbasan, vijon aktive vatra në Gurëshpatë të Librazhdit, pa rrezik për banesat, ndërsa Mali i Qukësit është nën mbikëqyrje.

Në qarkun Vlorë, zjarri në Qesarat–Mali i Malinës, Finiq, mbetet aktiv dhe është ndërhyrë edhe me një helikopter. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në qarkun Fier, vatra në Peshtan mbahet nën mbikëqyrje, ndërsa ajo në Çërrilë të Mallakastrës vijon aktive. Për këtë vatër sot do të angazhohen rreth 30 forca ushtarake.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›