Jaupaj: Shqipëria drejt ekonomisë qarkulluese, diaspora sjell modelet më të mira

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj mori pjesë sot në Samitin e IV të Diasporës Shqiptare në panelin “Diaspora shqiptare si partner mbështetës për integrimin evropian dhe zhvillimin e qëndrueshëm”.
Në fjalën e tij, Jaupaj u ndal tek procesi i integrimit europian të Shqipërisë përmes përmbushjes së Kapitullit 27, që trajton çështjet e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike.
“Kapitulli i Mjedisit është një nga ato lokomotivat e rënda të cilat duhet ta çojnë përpara për shumë arsye sepse është kapitulli më i gjatë. Ndikimi mjedisor në çfarëdo lloj ndikimi infastrukturor apo gjetkë ka rëndësi, por nga ana tjetër për Shqipërinë është edhe kapitulli më i kushtueshëm”, tha Jaupaj.
Sipas tij, ky kapitull përfshin 10 fusha të rëndësishme që lidhen me cilësinë e jetës dhe shëndetin e njeriut duke nisur nga cilësia e ujit, ujërat e ndotur, menaxhimi i mbetjeve, zonat e mbrojtura, natyra, kimikatet, ndryshimet klimatike etj.
Ministri Jaupaj bëri të ditur se “në Ministrinë Mjedisit jemi së bashku me 29 institucione që po çojmë përpara punën e kapitullit 27, i cili u hap në shtator të vitit të shkuar ku për gati 1 vit e gjysmë do të duhet që të miratojmë rreth 400 akte ligjore dhe nënligjore të cilat fomësojnë atë që quhet kuadri ligjor i BE-së”.
Megjithatë, vijoi Jaupaj, kjo nuk mjafton ne kemi punuar për të nxjerrë një kosto financiare për të kuptuar se sa kushton integrimi mjedisor i Shqipërisë në BE dhe kjo është një kosto e lartë.
“Këtu flasim për investimet publike, megjithatë shpesh herë harrojmë që në fakt edhe sektori privat është ai sektor, i cili duhet të japë kontributin e atij në atë që quhet transformimi i gjelbër apo agjenda e gjelbër që ne po zbatojmë. Mendoj se sektori privat është shumë përpara se sektori publik sa i takon investimeve. Kur shkojmë tek sektori privat për të parë të gjithë ato investime të cilat transformojnë ekonominë nga një ekonomi lineare në një ekonomi qarkulluese shohim që janë shqiptarët e diasporës ata të cilët kanë sjellë modelet më të mira në Shqipëri”, nënvizoi Jaupaj.
Jaupaj u shpreh se “janë shqiptarët e diasporës të cilët janë përballur për herë të parë me koncepte si ndryshime klimatike, ekonomi qarkulluese, riciklimi, ripërdorimi ku Shqipëria gjatë periudhës së tranzicionit vazhdonte të ishte një shoqëri kaotike dhe vazhdonte në atë që quhej ekonomia lineare prodho dhe hidh, por jo riqarkullo dhe risill”.
Jaupaj informoi se “Ministria e Mjedisit me një program të veçantë po bën promovimin dhe angazhimin e këtyre biznesve që është një program që quhet “Krijo dhe qarkullo” kryesisht bizneset janë ato të shqiptarëve të diasporës”.
“Një aspekt i veçantë që Ministria e Mjedisit ndjek dhe çon përpara janë edhe ato që ne konsiderojmë zona të mbrojtura të Shqipërisë, rreth 22% e territorit të Shqipërisë është zonë e mbrojtur janë një nga pasaportat më të rëndësishme të Shqipërisë sa i takon sektorit të turizmit dhe për të cilat ne jemi duke ecur përpara me plane menaxhimi, por nga ana tjetër duam të prezantojmë atë që quhet ekonomia e qëndrueshme e komuniteteve që jetojnë në këto zona”, tha Jaupaj.
Jaupaj foli edhe për punë e madhe që është bërë nga Ministria e Mjedisit dhe shoqëria civile gjatë tre viteve për të shpallur Park Kombëtar lumin e fundit të egër në Evropë, Vjosën.
“Ishte një punë kolosale sepse 480 km lumë ku u mor edhe angazhimi serioz i qeverisë për të ndërprerë 26 kontratat HEC, ndërtimi në këtë zonë të mbrojtur dhe që më pas po e çojmë përpara me programe siç është “Paketa e maleve””, tha Juapaj.
Ministri Jaupaj u shpreh se “sektori i turizmit është shumë i rëndësishëm. Vitin e kaluar e mbyllëm me 12.5 milionë vizitorë të huaj, ku 60% e tyre nuk shkuan në plazhe por ishin në pjesën qendrore dhe të thellë të vendit duke vizituar parqe kombëtare, male lumenj, liqene etj”.
/k.s/a.f/