E Diel, 1 Nëntor 2026

Miratohet ligji, Balla: I huaji përfiton shtetësinë shqiptare kur vendi ka interes të posaçëm

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme miratoi sot projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për shtetësinë’, të ndryshuar”, nismë e deputetit Taulant Balla.

Mbledhja u drejtua nga zëvendëskryetarja Bora Muzhaqi, ku u shqyrtua projektligji që synon përditësimin e kuadrit ligjor për fitimin e shtetësisë shqiptare.

Gjatë prezantimit të nismës, Balla u ndal në konceptin e “natyralizimit për interes shtetëror”, duke sqaruar se i huaji mund të përfitojë shtetësinë shqiptare jashtë kushteve standarde, në rastet kur shteti ka interes të posaçëm për krijimin e një lidhjeje të qëndrueshme me individin, për shkak të aftësive, cilësive ose veprimtarisë së tij.

Ai theksoi se ligji aktual parashikon gjithashtu raste të veçanta për përfitimin e shtetësisë nga personalitete të fushave si arsimi, shkenca, arti, kultura, ekonomia dhe sporti.

Relatori i çështjes, Ervin Hoxha, vlerësoi përputhshmërinë e projektligjit me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, si dhe respektimin e procedurave parlamentare.

Pas diskutimeve dhe sugjerimeve të anëtarëve, komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.

1 nga 3

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›