Zjarri te pallati i kompleksit “Arlis”, rreth 30 apartamente të prekura nga flakët

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Zjarri i cili përfshiu një ditë më parë një pallat në komplekin “Arlis” në Tiranë, në zonën e njohur si “Farmacia 10” në kryeqytet, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Mediet raportojnë se rreth 30 apartamente janë prekur nga flakët, ndërsa bilanci i plotë i dëmeve pritet të përcaktohet në orët në vijim.
Banorët, banesat e të cilëve u prekën nga flakët thanë se materiali që u dogj ishte i dobët.
“Zjarri gjithmonë frikë është, por shyqyr s’pati dëme në njerëz, kjo ka rëndësi. ǒtë bësh? Ky material ikën si pishë, po të vazhdonte nja një orë, ishte djegur e tëra. Ky pallat, kur ishte duke u ndërtuar dhe punonin ata me saldatriçe, mori njëherë flakë. Material i dobët, kjo është”, tha një banor.
Një tjetër banore shprehet se, “momenti ishte shumë tragjik, jam habitur. Thashë ç’është kjo, po qaja në shtëpinë time. Ajo ishte si një karton, inertet që digjeshin”, tha ajo për mediet.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë, ndërsa dyshohet se vatra ka nisur në katin 0, në pjesën e jashtme të një marketi.
Paraprakisht dyshohet se përhapja e shpejtë e zjarrit deri në katin e 12-të ka qenë materiali i përdorur për fasadën e pallatit.
Të martën, në QSUT u paraqitën 11 persona, përfshirë qytetarë dhe forca zjarrfikëse, të cilët kishin pësuar djegie të lehta e asfiksi.
Në operacionin për përballimin e situatës dhe shuarjen e zjarrit u angazhuan rreth 70 forca zjarrfikëse me 15 mjete, 50 forca policore, si dhe struktura të tjera mbështetëse, përfshirë urgjencën mjekësore, UKT-në, forcat bashkiake dhe vullnetarë.
Forcat e Armatosura kontribuuan me 44 efektivë, 6 mjete zjarrfikëse, 1 helikopter Cougar, 1 autoambulancë dhe 1 mjet tip Land Rover të pajisur me oksigjen.
Dëmet nga zjarri tek pallati pranë QSUT, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 18/m.q/a.f/