Jaupllari: Farat e fidanët e certifikuar, ndryshimet ligjore garantojnë cilësi

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor” sjell përfitime të prekshme për fermerët dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor.
Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Arjan Jaupllari i pranishëm në Komisionin e Kuvendit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin theksoi se, “projektligji rregullon procesin e regjistrimit të farave të importit, lehtëson regjistrimin e varieteteve të reja të farave në Katalogun Kombëtar, ul kostot për fermerët dhe garanton fuqinë mbirëse të materialit mbjellës shumëzues bimor në treg” .
Sipas tij, projektligji garanton sigurinë e cilësisë së farave dhe fidanëve për mbështetjen e prodhimit bujqësor dhe rritjen e eksporteve.
Materiali mbjellës dhe shumëzues bimor është grupi më i rëndësishëm i inputeve bujqësore dhe me një shumëllojshmëri varietetesh, kultivarësh dhe biotipesh, me ndikim të drejtpërdrejtë në prodhimtarinë e cilësinë e prodhimit.
Ndryshimet ligjore prekin mbi 40% të përmbajtjes së ligjit “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor” dhe forcojnë kontrollin e cilësisë në të gjithë hallkat e zinxhirit që përfshin sektori i inputeve bujqësore.
Deputeti i opozitës Xhelal Mziu, e cilësoi pr/ligjin e paraqitur një farsë të radhës, pasi siç tha ai, “sot bujqësia shqiptare është e nënçmuar ndaj prodhimeve të importit që vijnë me kosto më të ulët për shkak të subvencionimeve të konsiderueshme që marrin fermerët në vendet e tjera”.
Ai parashtroi se ka rënie të numrit të teknikëve në sektorin e bujqësisë dhe apeloi për forcimin e kontrollit nga institucionet e linjës për inputet bujqësore.
Në përgjigje të çështjeve që parashtroi deputeti Mziu, zv.ministri Jaupllari tha se, “qeveria ka shtuar nga viti në vit fondet për subvencionimin e bujqësisë dhe adreson tetë masa mbështetëse për fermerët, ku një nga këto masa është financimi për rritjen e cilësisë dhe certifikimin e farave dhe fidanëve”. /j.p/