Marrëveshje e re me Turqinë për zhvillimin e biznesit

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Drejtoresha e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Laura Saro dhe kreu i Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Turqia (MÜSİAD Albania), Muhammet Işler, nënshkruan sot në Tiranë një memorandum mirëkuptimi.
Qëllimi i këtij memorandumi është rritja e bashkëpunimit ekonomik si dhe përmirësimi i marrëdhënieve tregtare dhe kulturore në botën e biznesit, përmes organizimit të aktiviteteve të përbashkëta.
Turqia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare, duke u renditur partneri i tretë tregtar, me 8% të vëllimit.
Shkëmbimet tregtare me Turqinë në vitin 2024 arritën 101,4 miliardë lekë.
Referuar të dhënave eksportet shqiptare drejt Turqisë arritën 4,8 miliardë lekë, ndërsa importet llogariten mbi 98,6 miliardë lekë.
Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason.
1 nga 6/r.e/