Jaupllari në Konferencën e FAO-s: Fokus siguria ushqimore dhe zhvillimi rural

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Shqipëria po merr pjesë në Sesionin e 35-të të Konferencës Rajonale të FAO për Europën (ERC35), që zhvillohet në Dushanbe, Taxhikistan, forumi më i lartë drejtues i FAO-s për Europën dhe Azinë Qendrore.
Delegacioni shqiptar kryesohet nga zv.ministri i Bujqësisë dhe Zvillimit Rural, Arian Jaupllari, i cili në fjalën e mbajtur e vuri theksin në piketat kryesore që po ndërmerr qeveria për forcimin e sigurisë ushqimore sipas standardeve europiane dhe politikat e reja në mbështetje të zhvillimit rural.
Në konferencë marrin pjesë ministra dhe përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit, të cilët po diskutojnë prioritetet për ndërtimin e sistemeve agroushqimore të qëndrueshme, rritjen e sigurisë ushqimore, përballimin e ndryshimeve klimatike dhe zhvillimin rural gjithëpërfshirës.
Shqipëria, anëtare e FAO-s prej vitit 1973, vijon angazhimin për transformimin e sektorit agroushqimor drejt modeleve më të gjelbra dhe të qëndrueshme, në mbështetje të fermerëve dhe komuniteteve rurale, si dhe për mbrojtjen e burimeve natyrore dhe përafrimin me standardet e Bashkimi Europian.
Gjithashtu, Zyra e FAO-s në Shqipëri mbështet institucionet shqiptare në rrugëtimin drejt sistemeve agroushqimore më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
1 nga 3/e.xh/r.e/a.f/