E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java 14, Flamurtari - Skënderbeu 1-1Flamurtari vazhdoi serinë e gjatë të ndeshjeve pa fitore, tashmë në 8 të tilla, kur ajo e fundit ka qenë kundër Vllaznisë (2-0) në javën e gjashtë të Superligës

Publikoje ne rrjetet sociale:

(ALBANIA SPORT) – Skënderbeu ia doli të marrë një pikë të çmuar në Vlorë në barazimin 1-1 me Flamurtarin (java 14), edhe pse skuadra korçare e mbylli takimin me nëntë lojtarë, pas ndëshkimit me kartonë të kuq të Genti Gjondedës dhe Antonio Rukavinës. Për Flamurtari doli me karton të kuq Amarildo Belisha.

Devis Mema, lojtari që i humbi edhe kualifikimin Flamurtarit në Kupën e Shqipërisë, kur goditi pasaktësisht nga pika e bardhë në ndeshjen kundër  Gramozit, e shleu gabimin kur realizoi me penallti në minutën e 38-të për vlonjatët.

Në fakt, penalltia provokoi protesta të stafit të Skënderbeut. Zëvendëstrajneri i Skënderbeut, Gentian Liçi, protestoi te gjyqtari Artan Taullahu, ndërkohë që kapiteni Blendi Shkëmbi doli në vijën anësore për tu konsoltuar me trajnerin e tij Gerti Haxhiu në lidhje edhe me një tërheqje të mundshme.

Gjithsesi, skuadra korçare arriti ta ekuilbrojë ndeshjen dhe në minutën e 78-të sulmuesi kroat Milaim Guerrib gjeti golin e barazimit që i dhuroi edhe pikën e çmuar Skënderbeut në barazimin e pestë sezonal dhe të dytin në transfertë. Goli i pestë për Guerrib me fanellën e “ujqërve të dëborës”.

Fundi i takimit ishte i tëri i tensionuar, çka rezultoi edhe me dhënien e tre kartonëve të kuq, 1 për Flamurtarin (Belisha) dhe 2 për Skënderbeut (Gjondeda, Rukavina).

Flamurtari vazhdoi serinë e gjatë të ndeshjeve pa fitore, tashmë në 8 të tilla, kur ajo e fundit ka qenë kundër Vllaznisë (2-0) në javën e gjashtë të Superligës, më shumë se dy muaj më parë (4 tetor 2009).

Me pikën e marrë kundër Skënderbeut (barazimi i pestë i Flamurtarit këtë sezon), skuadra vlonjate mbeti serish e fundit, tashmë në kuotën e 11 pikëve, një më pak se Gramozi i parafundit (12 pikë).

Ky ishte barazimi i 29-të historik midis dy ekipeve në 98 ndeshje të zhvilluara, teksa dhe i fundit midis tyre ishte mbyllur po 1-1, më 1 dhjetor të vitit 2007 (38 fitore Flamurtari, 31 fitore Skënderbeu).

Numri i klikimeve - 1857
  E Diele, 13 Dhjetor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›