Java 16. Skënderbeu fiton, Gramozi barazonSkuadra korçare fitoi 2-3 në transfertën e vështirë të Dajtit në Kamëz, në ndeshjen e javës së 16-të të kampionatit shqiptar të futbollit, Kategoria e Parë. Laçi fitoi 1-0 me Sopotin, Kastrioti i vendit

Indrit Fortuzi e nisi me fitore aventurën e tij me Skënderbeun. Skuadra korçare fitoi 2-3 në transfertën e vështirë të Dajtit në Kamëz, në ndeshjen e javës së 16-të të kampionatit shqiptar të futbollit, Kategoria e Parë.
Rada (34’) e Ndoja (80’) realizuan për Dajtin, ndërsa për Skënderbeun kryesues shënuan nigeriani Toçuku (18’, 23’) dhe Cipi (90), goli i këtij të fundit vulosi dhe fitoren e gjashtë në transfertë të Skëndebeut, që tashmë ndodhet në kuotën e 36 pikëve, katër më shumë se Laçi i vendit të dytë.
Laçi fitoi 1-0 me Sopotin, falë një penalltie të realizuar nga Xhetani (75’), por pa bindur në lojë.
Edhe Kastrioti i vendit të tretë fitoi minimalisht me Pogradecin (1-0), me një gol të Florian Brahos(84’), djalit të legjendës gjirokastrite, Sefedin Braho.
Gramozi nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Tërbunin në Pukë, pavarësisht se braziliani i kolonjarëve, Marko Dos Santos shënoi i pari në minutën e 55-të. Goli i 13-të i tij, nga 30 gola që ka shënuar Gramozi. Shkodrani Alsid Tafili në minutën e 89-të barazoi për Tërbunin e drejtuar nga Ylber Zani.
Luftëtari fitoi 1-0 me Besëlidhjen e Lezhës, falë golit të Indrit Taçit në minutën e 68-të. Ne minuten e 72-te Gruda i Beselidhjes nuk realizoi nga pika e bardhe e penalltise.
Në derbin e vendeve të fundit, Bilisht Sport humbi 2-3 me Naftëtarin në ndeshjen e zhvilluar në Pogradec. Golat: Valentino 65’, Macolli 86’ për Bilishtin; Varfi 22’, Akamba 77’, 88’ për Naftëtarin.
Skrapari fitoi 1-0 me Turbinën. Mersini (49’) shënoi dhe golin me vlerë tri pikë për Skraparin, që tashmë ndodhet në vendin e 10-të me 19 pikë.
Të enjten do të luhet ndeshja e prapambetur e javës së 16-të të Kategorisë së Parë, Burreli-Ada, takim që do të gjykohet nga Jorgji.
KATEGORIA E PARË
JAVA XVI
04.02.2009
Luftëtari-Besëlidhja 1-0
Bilisht S-Naftëtari 2-3
Laçi-Sopoti 1-0
Skrapari-Turbina 1-0
Kastrioti-Pogradeci 1-0
Tërbuni-Gramozi 1-1
Dajti-Skënderbeu 2-3
05.02.2009
Burreli-Ada (Jorgji)
E Enjte, 05 Shkurt 2009