Java 19, Shkumbini – Flamurtari 2-1

(ALBANIA SPORT) – Shkumbini mposhti 2-1 Flamurtarin në Peqin, në ndeshjen hapëse të javës së 19-të të Kategorisë Superiore, duke regjistruar fitoren e katërt rresht përpara tifozëve të tij, në një takim ku gjyqtari ndërkombëtar Sokol Jareci dha tre penallti, dy për vendasit dhe një për miqtë.
Heroi i takimit për formacionin e Përparim Daiut ishte mesfushori përmetar Ilirjan Çaushaj, i cili realizoi një dopjetë me dy goditje precize nga pika e bardhë në minutat 15 dhe 55.
Mbrojtësi i Flamurtarit dhe i Kombëtares, Franc Veliu, realizoi barazimin e përkohshëm në minutën e 25-të, ndërkohë që sulmuesi Migen Memelli e nisi debutimin me kuqezinjtë vlonjatë me një penallti të fituar e të humbur po vetë në minutën e 50-të, falë edhe aftësive të portierit të Shkumbinit, Ibrahim Bejte.
Shkumbini e ka nisur mjaft mbarë vitin 2010, pasi dhe në javën paraardhëse fitoi 2-1 me Vllazninë, por në Peqin. Presidenca peqinase kishte përcaktuar si premio për fitoren nga 500 dollarë amerikanë për çdo lojtar.
Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, debutoi me humbje përpara tifozerisë së qytetit të tij. Në fazën e parë, dy skuadrat ishin ndarë në barazim 1-1, java 8, 25 tetor 2009: Roland Dervishi shënoi për Shkumbinin në minutën e 9-të, Devis Mema barazoi për Flamurtarin në minutën e 28-të.
Shkumbini për momentin, me 27 pikë në 19 javë të luajtura, ndodhet në vendin e katërt, duke lënë pas vetes Teutën (26) dhe Apoloninë (25), por si durrsakët ashtu dhe fierakët kanë nga një ndeshje më pak. Ndeshja e ardhshme e Shkumbinit është ajo kundër Laçit në transfertë.
Flamurtari, që nga ana e tij pësoi humbjen e 9-të në kampionat, përpara se të përballet në Vlorë me Apoloninë në javën e 20-të, do të riluajë në shtëpi me Besën, të mërkurën, më 3 shkurt, një takim që i përket javës së 18-të, por i anuluar me vendimin e Komisionit të Disiplinës për shkak të një gabimi teknik të gjyqtarit të asaj ndeshjeje, Remzi Sadiku.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 19
29.01.2010
13:00 Shkumbini-Flamurtari 2-1
Shënues: Ilirjan Çaushaj 15’(p), Ilirjan Çaushaj 55’(p)/Franc Veliu 25’
PËRBALLJET SEZONALE
Faza e parë: Flamurtari-Shkumbini 1-1
Faza e dytë: Shkumbini-Flamurtari 2-1
KATËR FITORET RRESHT
TË SHKUMBINIT NË PEQIN
Java 19 Shkumbini-Flamurtari 2-1
Java 18 Shkumbini-Vllaznia 2-1
Java 16 Shkumbini-Dinamo 4-0
Java 14 Shkumbini-Skënderbeu 1-0
Burimi: Albania-sport.comE Premte, 29 Janar 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili