Teuta, për revansh ndaj Tiranës

(ALBANIA SPORT) – Teuta humbi fazën e parë 2-0 me Tiranën në kryeqytet (Muzaka e Devolli shënuan për bardheblutë), por në takimin e kthimit në “Niko Dovana”, formacioni durrsak i Mirel Josës (një ish-trajner i Tiranës) është i gatshëm për revansh, duke parë dhe problemet e shumta që po kalojnë kampionët në fuqi, por dhe të barazohen me pikë me skuadrën kryeqytetase.
24-herë kampionët e Shqipërisë do të përballen me Teutën në një situata aspak normale. Post-derbi i humbur me 2-1 me Dinamon u shoqërua me masa ekstreme nga Komisioni i Disiplinës, përfshirë pezullimin për një vit të trajnerit Alban Tafaj (ka deklaruar se do ta drejtojë takimin nga tribuna) dhe dënimin me 8 ndeshje të kapitenit Devi Muka.
Bardhbelutë apeluan vendimin e Komisionit të Disiplinës (sipas shefit të klubit, Dimraj, masat ishin të pabazuara), por përballë një Teute të etur për pikë dhe një vend në zonën e Europës, rekordmenët e vendit do të bëjnë pa tre lojtarë titullarë, përfshirë portierin Blendi Nallbani, mbrojtësin Ditmar Bici e mesfushorin Devi Muka.
Gjithsesi, Tafaj i ka alternativat zëvendësuese: në portë, në vend të Nallbanit do të jetë maqedonasi Pece Kuronovski; në mbrojtje do të aktivizohet Entonio Pashaj, ndërkohë që sulmi do të formohet me dyshen Arbër Abiliaj-Sebino Plaku, ky i fundit tregoi pak në ndeshjen e parë kundër ish-skuadrës së tij, Dinamos.
Sulmi durrsak do të kompozohet me kapitenin Vangjel Mile, e përkrah tij do të jetë blerja e re dimërore, Mirel Çota. Teuta (26 pikë) barazoi pa gola në ndeshjen e fundit me Laçin në transfertë, dhe në shtëpi ka humbur vetëm dy nga nëntë takimet e luajtura.
MUNGON HYSA
Teuta nuk ka asnjë lojtar të pezulluar, por trajneri Mirel Josa do të vuajë ende dëmtimin e sulmuesit të njohur Vilfor Hysa (i dalë nga shkolla e Tiranës).
PERFORMANCË E DOBËT
Tirana (29 pikë), nga ana e saj nuk ka një performancë të bujshme në ndeshjet në transfertë, ku ka grumbulluar 14 pikë nga 27 të mundshmet (4F, 2B, 3H).
NDESHJET E FUNDIT
Në ndeshjen e fundit në shtëpi, Teuta fitoi 1-0 me Shkumbinin e Peqinit, ndërkohë që Tirana në takimin e fundit në transfertë fitoi 1-0 me Kastriotin e Krujës (java 17). Burimi: Albania-sport.comE Premte, 29 Janar 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili