Java Globale e Parasë, Sejko: Të rinjtë të kuptojnë rëndësinë e financave, të ruhen nga rreziqet online

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka theksuar nevojën e edukimit të brezit të ri lidhur me paranë që të mund të marrin në të ardhmen vendime të duhura financiare.
Në aktivitet e zhvilluara në kuadër të “Javës Globale të Parasë”, Sejko tha se me zhvillimin e digjitalizimit të proceseve është rritur edhe rreziku i mashtrimeve online, dhe edukimi i i brezit të ri do të shmang pikërisht këto abuzime.
“Kjo fushatë përfaqëson një rast shumë të mirë për politikbërësit, sistemin arsimor, atë bankar dhe biznesin që të bashkëpunojmë me qëllim që të afrohemi tek të rinjtë për t’i mësuar mbi rëndësinë e parasë, planifikimit dhe vendimmarrjeve të shëndosha financiare. Ka ardhur koha që fëmijët dhe të rinjtë të mësojnë aktivisht për paranë dhe financat, të fitojnë gradualisht njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të garantuar mirëqenie dhe qëndrueshmëri financiare.
Tema e këtij viti “Mbro paratë e tua, siguro të ardhmen tënde!”, thekson nevojën për të përqafuar një qasje të përgjegjshme dhe të informuar në administrimin e financave personale, duke u bërë të vetëdijshëm për rreziqet potenciale në ndërveprimin financiar. Është shumë e rëndësishme për të rinjtë të identifikojnë rreziqet e lidhura me mashtrimet online, si dhe rreziqet e tjera që rrjedhin nga informacionet dhe këshillat e pasigurta.
Është thelbësore të kuptohet se pjesëmarrja në tregun financiar, qoftë edhe për transaksione në dukje të thjeshta ka implikime më të gjera ekonomike. Duhet të kuptojmë se mënyrat e reja të investimit dhe instrumentet invovative të pagesave rrisin eficiencën dhe ulin kostot financiare për përdoruesit. Ato sigurisht që çelin shumë dyer drejt të ardhmes, por mbartin edhe rreziqe nëse përdoruesit nuk janë të edukuar financiarisht dhe tregjet nuk janë të rregulluara dhe të mbikëqyrura”, tha Sejko.
Digjitalizimi po transformon mënyrën se si konceptohen instrumentet financiare dhe për këtë tha guvernatori Sejko duhet që të “të rinjtë kanë mundësinë të përdorin burimet e tyre si një forcë për ndryshim pozitiv në shoqëri dhe mjedis”.
/rtsh.al/