Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, gati pranverën e ardhshme

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës po punohet me ritme të shpejta për të qenë gati pranverën e ardhshme, njoftoi Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Pritet që aeroporti të dorëzojë aplikimin zyrtar në dhjetor të vitit 2024, bashkë me dokumentacionin përkatës për operimin dhe mirëmbajtjen e këtij aeroporti përfshirë planet e emergjencës.
Brenda vitit do të kryhet edhe aplikimi për certifikimin e aeroportit, ku do të vlerësohet operimi i tij, kualifikimi i stafit dhe siguria në terren.
Aeroporti ka një pistë të dizenjuar për avionë 4E, që janë avionë me trup të gjerë, airbus 330-340, apo Boeing 777 që janë të përshtatshëm për t’u akomoduar në këtë aeroport. Një nga rrugët lidhëse paralele me pistën është me të njëjtën gjatësi, 3.2 km dhe do të garantojë kapacitet më të lartë të lëvizjes së avionëve.
Në fazën e parë, Aeroporti i Vlorës, do të operojë me një kapacitet prej 2 milionë pasagjerësh. Pas mbylljes së fazës së parë, aeroporti do t’i nënshtrohet edhe dy fazave të tjera që përfshijnë, infrastrukturën për godinën kargo, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, dhe ngritjen e akademisë së fluturimit.
Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, porta ajrore e jugut të Shqipërisë synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.
/ rtsh.al /