E Hënë, 2 Nëntor 2026

Java Kulturore Malazeze, koncert për piano dhe ekspozitë me dokumente të rralla

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Në kryeqytet rifilluan pas një ndërprerjeje të shkurtër gjatë sezonit veror, Javët Kulturore Ndërkombëtare. Ato nisën me Javën Kulturore Malazeze, me një prezantim në Sallën e Pasqyrave në Teatrin e Operas dhe Baletit, që u pasua nga një koncert në piano.

Mbrëmja e veçantë muzikore shpalosi talentin e pianistit të ri Carlo Gjurgjević. Ai interpretoi kryevepra nga Beethoven, Bach, Liszt dhe Chopin, duke percjellë emocionet e muzikës klasike.

Në përfundim, artisti prezantoi një improvizim mbi tema muzikore tradicionale malazeze, duke bashkuar traditën dhe modernen.

Ditën e sotme, gjithashtu në kuadër të Javës Kulturore Malazeze, u çel ekspozita “Përfaqësitë Konsullore të Malit të Zi 1880-1914”. Ekspozita nxjerr në dritë dokumente të rralla nga Arkivi Kombëtar, duke dëshmuar për punën e konsujve të nderit në katër kontinente. Kjo ekspozitë nderon kontributin e tyre në promovimin dhe rritjen e reputacionit të Malit të Zi.

Java Kulturore Malazeze e cila çeli sezonin e dytë të Javëve Kulturore Ndërkombëtare 2025, do të vijojë deri më 11 shtator, duke e kthyer qytetin në një skenë të hapur kulture. /j.p/

Java Kulturore Malazeze, fotot Andri Hoxha 1 nga 11

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›