E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sejko: Ekonomia në rritje të qëndrueshme, 3,5 % deri në 4 %

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Ekonomia vijon trendin pozitiv të rritjes.

Gjatë fjalës së tij në Konferencën e Ambasadorëve, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se rritja ekonomike në vend është konsistente dhe pritet të qëndrojë në nivele të kënaqshme.

“Banka e Shqipërisë parashikon që në afatin e shkurtër dhe afatmesëm, rritja ekonomike do të vazhdojë me të njëjtat ritme rritjeje midis 3,5 % dhe 4%, e cila është një rritje mjaft  mirë”, u shpreh Sejko.

Guvernatori vuri në dukje se turizmi mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, me ndikim të ndjeshëm edhe në sektorët e tjerë të ndërlidhur me të.

Ai theksoi se rritja e përdorimit të kanaleve të pagesave digjitale nga operatorët turistikë do të ndikojë drejtpërdrejt në formalizimin e ekonomisë dhe në uljen e përdorimit të parasë cash.

Përtej zhvillimeve në fushën e sistemeve të pagesave, Guvernatori Sejko theksoi se Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

“Shqipëria ka pasur një ndër performancat më të mira ekonomike gjatë pesë viteve të fundit, jo vetëm në rajon, por edhe në kontekstin e përgjithshëm evropian. Stabiliteti monetar e ai financiar kanë mundësuar përballimin e goditjeve të pandemisë dhe të rritjes së shpejtë të çmimeve që pasoi luftën në Ukrainë, me kosto minimale dhe pa dëmtuar trendin pozitiv të zhvillimit”, tha Guvernatori.

Një dëshmi tjetër e stabilitetit financiar të vendit janë dhe tre uljet e rrezikut të borxhit nga agjencitë prestigjioze Moody’s dhe Standard and Poors, që kanë rritur besimin e investitorëve dhe kanë ulur kostot e financimit në tregjet ndërkombëtare.

Së fundi, ai nënvizoi se investimet e huaja direkte kanë ardhur në rritje të vazhdueshme, duke u dyfishuar në 10 vitet e fundit dhe arritur në nivelin e 15 miliardë eurove, ose rreth 60% të PBB-së, shpërndarë në një shumëllojshmëri sektorësh strategjikë.

Guvernatori ftoi ambasadorët të bëhen promotorë të investimeve në Shqipëri, duke promovuar avantazhet që ofron vendi ynë dhe seriozitetin e autoriteteve shqiptare në krijimin e një mjedisi miqësor dhe të qëndrueshëm për investitorët.

Potencialet e vendit tonë si burimet njerëzore e natyrore, pozicioni gjeografik, angazhimi i palëkundur dhe perspektiva konkrete për integrimin e shpejtë të vendit në Bashkimin Evropian, ofrojnë një paketë tërheqëse për investitorët e huaj.

“Integrimi evropian i Shqipërisë është një proces që kërkon përkushtim, vizion dhe besim. Banka e Shqipërisë është e vendosur të vazhdojë të japë kontributin e saj për modernizimin e ekonomisë dhe forcimin e infrastrukturës financiare, me qëllim shndërrimin e Shqipërisë në një partner të barabartë në tregjet evropiane e më gjerë” u shpreh në mbyllje Guvernatori Sejko.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›