E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java XIII Dinamo fiton, Tirana shans për të kapur kreun

Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - Dinamo arriti një fitore minimale me shumë vuajtje ndaj Flamurtarit të vendit të fundit në “Qemal Stafa”, falë një goli të realizuar nga argjentinasi Rafael Soza. Djemtë e Shkëlqim Muçës vazhduan të sigurt konfirmimin drejt titullit kampion, duke regjistruar fitoren e dhjetë në 13 takime. Një takim i vështirë për kryesuesit absolutë të kampionatit, i zgjidhur vetëm pesë minuta përpara përfundimit të takimit të gjykuar nga Lorenc Jemini (“xhaketa” me më shumë takime në këtë sezon). Argjentinasi Rafael Soza shënoi në minutën e 85-të, një gol që në fakt ka për bashkautorësi në prekje edhe të Sebino Plakut. Goli në fjalë është kontestuar nga vlonjatët, të cilët kanë pretenduar se ishte në pozicion jashtë loje Diopi, në kohën kur topi u nis në zonën e Mockës. Megjithatë, protesta nuk ka ndryshuar asgjë në vendimin e gjyqtarëve, përveç një kartoni të kuq për Begajn. Në këtë mënyrë, Dinamo ruan hapin, duke mos njohur rezultat tjetër, përveç fitores, qysh në barazimin e javës së 8-të në Korçë. Pra, pesë fitore radhazi. Kjo ishte fitorja e 65-të në 118 ndeshje historike me Flamurtarin (26 fitore, 27 barazime). Dinamo u ngjit në kuotën e 35 pikëve (nga 39 të mundshmet), duke krijuar një diferencë prej +13 pikësh nga Besa e vendit të dytë, që nga e saj pret sot Shkumbinin në Kavajë. Flamurtari pësoi humbjen e 7-të sezonale, duke mbetur sërish i fundit, në një situatë të vërtetë krize për fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë.

Reagimet e trajnerëve

“Kemi ndërtuar shumë sot, kemi sulmuar shumë, por për meritë të ekipit kundërshtar, i cili u mbrojt shumë mirë, nuk arritëm të shënojmë më shpesh. Çdo gjë ishte fair play, edhe në drejtim të lojës dhe në drejtim të gjykimit”, - u shpreh Shkëlqim Muça, trajner i Dinamos. Ndërkohë, Gugash Magani, trajneri i Flamurtarit theksoi: “Futbolli luhet deri në minutën e fundit. Ekipi sot ka treguar si asnjëherë tjetër karakter sportiv”. Të shtunën u luajtën tri ndeshje të javës së 13-të të superligës, e cila e kishte ngritur siparin e saj një ditë më parë, me ndeshjen e luajtur në Krujë, mes Kastriotit dhe Teutës. Ndeshja në fjalë u fitua nga durrsakët 2-1. Në Fier është luajtur një tjetër ndeshje interesante. Apolonia e vendit të tretë ka pritur Vllazninë e Shkodrës, e cila i ka zhgënjyer të gjithë në këtë kampionat. Fierakët shikoheshin si favoritë, edhe për faktin se vinin pas një fitoreje 2-0 në transfertë, një javë më parë, ndaj Teutës. Pra, morali i skuadrës vendase ishte i lartë, ndërkohë që e kundërta pritej te kuqeblutë, pas asaj goditjeje shokuese që morën javën e shkuar, në kohën shtesë, nga Besa. Kujtojmë se para një jave, në kuadrin e javës së 12-të, Vllaznia kryesonte 2-1 ndaj verdhezinjve, por në kohën shtesë pësuan dy gola, duke u ikur fitorja nga duart. Sidoqoftë, shkodranët e kanë nisur mjaft mirë sfidën e Fierit, teksa e kanë parë veten në epërsi qysh në minutën e 12-të, pas një goli të realizuar nga Elvin Beqiri. Kjo e ka vënë në situatë të vështirë Apoloninë, që tashmë drejtohet nga Hasan Lika, deri në javën e 6-të trajner i Vllaznisë. Fierakët sulmojnë me forca të shumta, por prapavija kuqeblu arrin ta zmbrapsë furinë vendase deri në minutën e 56-të, kur Meto barazon rezultatin. Në këtë moment pritej që Apolonia të çlirohej e të gjente edhe golin e epërsisë, por në fakt nuk ia kanë arritur, sa për meritë të shkodranëve, që janë mbrojtur mirë, aq edhe për paqartësi të tyre. Në këtë mënyrë, Apolonia dhe Vllaznia kanë ndarë nga një pikë, e cila u jep moral kuqebluve, ndërkohë që Apolonia rrezikon vendin e tretë, nëse sot Tirana fiton në Korçë. Një detyrë e vështirë për bardheblutë, po të kemi parasysh se Skënderbeu nuk fal kollaj në shtëpi. Gjithsesi, ndeshja në fjalë konsiderohet e hapur dhe i ka të tria rezultatet brenda. Sot, në Kavajë, Besa e vendit të dytë do të presë Shkumbinin e Peqinit, me një qëllim të qartë, fitoren, për të mos u distancuar më shumë nga Dinamo e vendit të parë. Por, jo për “turizëm” do të udhëtojnë edhe miqtë drejt Kavajës, ku do të mundohen të mos dalin duarbosh.

Dhunë në Gramozi-Laçi

Sfida e dy skuadrave debutuese në superligë këtë edicion, Gramozi-Laçi 1-2, nuk ka shkuar sipas normave të “fair-play”-it. Madje i ka kaluar ndjeshëm caqet e lojës së futbollit, pasi, sipas reklamimit që kanë bërë drejtuesit e Laçit, janë bërë pjesëmarrës edhe tifozët vendas, që 10 minuta para mbarimit të lojës e deri në fund kanë filluar të gjuajnë me gurë lojtarët miq, duke e bërë gati të pamundur vazhdimin e ndeshjes. Duke folur për çka ka ndodhur në stadiumin e Ersekës, Julian Brahja, kapiteni i Laçit, se vërtetë laçianët dolën me 3 pikë nga Erseka, “por hidhërimi për mënyrën se si u sollën lojtarët vendas dhe tifozët kolonjarë ndaj nesh kalon çdo gëzim për rezultatin. Mund të them se ndeshja ishte e fortë dhe i kaloi caqet gjatë tërë lojës, por 10 minuta para mbarimit të kohës së rregullt çdo gjë nuk u mor më vesh. Tifozët vendas filluan të godisnin me gurë, nga të gjitha anët, kështu që ne ishim të detyruar të përqendroheshim në mesin e fushës, për të mos pësuar ndonjë traumë të rëndë. Nuk bëhej fjalë më për të ekzekutuar një goditje këndi apo rivënie në lojë nga ana e stadiumit, ku ndodhej tifozëria, sepse haje gurët kokës, kështu që fundi i lojës ka qenë një rrëmujë e madhe. Si të mos mjaftonin tifozët, që filluan të na godisnin me gurë, edhe lojtarët vendas u treguan tepër armiqësorë me ne. Mund tju konfirmoj se një lojtar i Gramozit, në mos gabohem Zeneli, ka goditur me grushta lojtarin tonë mbrojtës, Nina, duke e lënë pa ndjenja atë, në një moment kur nuk bëhej fjalë fare për futboll”, - u shpreh Brajha.

Kategoria I

Dy kryesuesit, Bylis dhe Elbasani, nuk janë ndalur në javën XIII të Kategorisë së Parë. Ballshiotët kanë mundur një rival të fortë në shtëpi, Kamzën, e drejtuar nga Agustin Kola, ndërsa verdheblutë kanë marrë 3 pikë të arta në transfertën e largët të Gjirokastrës, teksa kanë mundur 2-1 Luftëtarin. Në këtë mënyrë, kanë ruajtur pozitat e tyre në kreun e klasifikimit edhe pas kësaj jave. Edhe Lushnja pretendente ka fituar në transfertë, në Librazhd, 3-0, duke mbajtur vendin e tretë në renditje. Vlen të evidentohet rikthimi te fitorja e Partizanit, i cili ka mundur 2-1 Gramshin në stadiumin “Selman Stermasi“. Triumf me vlera ka arritur Burreli në Skrapar, duke e mundur 2-1 këtë të fundit dhe fundosur keq në klasifikim. Sa u takon pretendentëve për tu ngjitur në superligë nga kjo kategori, tepër e vlefshme ka qenë edhe fitorja e Pogradecit në Lezhë, edhe pse minimale, 1-0. Megjithatë, 3 pikë të tjera në “llogarinë“ e liqenorëve, të cilët konfirmojnë edhe përmes kësaj transferte formën e tyre të mirë në këtë kampionat. Bollëk golash në Velipojë, ku Ada vendase, e shquar për fitore të thella në shtëpi, kësaj radhe është frenuar nga turbina e Cërrikut. Katër gola ka prodhuar ky 90-minutësh, nga dy për secilën skuadër, çka i ka ndarë në barazim 2-2 të dyja palët.

Ky lajm është publikuar: 06/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›