Java e 7-të e Superiores, Teuta e Tirana fitojnë në ndeshjet e radhës

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Kampionati “Abissnet Superiore” vijon këtë fundjavë me ndeshjet e javës së 7-të.
Java nisi të premten me përballjen mes Dinamo City dhe Teutës, në orën 18:30, në “Elbasan Arena”.
Teuta e Edlir Tetovës nuk di të ndalet në këtë fazë të Kategorisë Superiore. Skuadra durrsake mposhti edhe Dinamon me rezultatin 2-0 dhe shkon në kuotën e 19 pikëve, duke e ruajtur kreun e klasifikimit.
Ndërsa sot Tirana fitoi përballë Laçit me rezultat minimal, në ndeshjen e luajtur në stadiumin e Vorës në orën 13:30.
Pas triumfit në derbin e kryeqytetit ndaj Partizanit, bardheblutë shënuan një tjetër fitore, duke marrë 3 pikë të tjera që e ndihmojnë edhe për klasifikimin. Golin e vetëm të takimit e shënoi Daci në minutën e 65-të.
Me këtë fitore Tirana shkon në kuotën e 11 pikëve, duke iu afruar Dinamos që humbi në sfidën e së premtes ndaj Teutës, ndërsa Laçi mbetet me 7 pikë
Po sot, Skënderbeu u përball me AF Elbasanin në orën 16:00, në Korçë, ku mori fitoren e parë për këtë sezon në Superiore, duke mundur me përmbysje 2-1 ekipin e Elbasanit.
Në një ndeshje shumë të luftuar, ishin miqtë të cilët shënuan të parët me anë të Mazarit. Por në fund të pjesës së parë, Bismark gjeti barazimin, ndërsa në të dytën ishte përsëri sulmuesi ai i cili shënoi golin e përmbysjes.
Dy takimet e fundit të javës do të zhvillohen të dielën. Vora do të luajë kundër Partizanit në orën 13:30, në stadiumin e Vorës, ndërsa java do të mbyllet me sfidën Egnatia – Vllaznia, që do të nisë në orën 18:30, në “Arena Egnatia”.
Abissnet Superiore, java e 7-të
Dinamo City – Teuta 0-2
Tirana – KF Laçi 1-0
Skënderbeu – AF Elbasani 2-1
FK Vora – Partizani, 18.10.2026, 13:30
Egnatia – Vllaznia, 18.10.2026, 18:30