Java e Albanologjisë
Duke folur për këtë ngjarje, drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, vlerësoi se ‘Java e Albanologjisë’ sivjet mbahet në një kontekst tepër të veçantë për Institutin, meqë vendimi i Qeverisë së Kosovës për t’i trajtuar punonjësit shkencorë njësoj si mësimdhënësit e universiteteve publike, siç edhe e parasheh ligji për veprimtari kërkimore-shkencore, ka kthyer shpresën dhe bindjen në radhët e këtij komuniteti se ia vlen të merresh me shkencë, si veprimtari elitare.
Ndërkaq, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, uroi që kjo javë të shënojë fillimin e vitit të albanologjisë. Sipas tij, ky aktivitet është i nevojshëm edhe për dinamizmin e punëve dhe veprimeve për thellimin e njohurive për shkencën e albanologjisë, dhe për rrënjët dhe ecuritë kulturo-historike të saj.
Ministri Buja foli edhe për mbështetjen që duhet të kenë studimet shkencore në fushën e albanologjisë, për çka tha se kemi “një mal faktesh dhe argumentesh, që fuqizojnë dhe imponojnë angazhime permanente të studiuesve të mirëfilltë shkencor”.
Ndryshe, në këtë aktivitet shkencor do të lexohen 130 kumtesa. Në këtë kontekst, ministri Buja theksoi se “të thuhen 130 fjalë është bukur shumë, e që të jenë 130 kumtesa është më tepër se kaq. Prandaj, unë besoj shumë në suksesin e kësaj jave albanologjike”.