E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kremtohet Rock’n’Rolli

Për nder të marrjes së çmimit Grand Prix në festivalin ShkupiFestival 2011, me shfaqjen “Rock’n’Roll” të Dino Mustafic’it, Teatri Kombëtar i Kosovës organizoi të hënën një kremtim modest.

Teatri Kombëtar i Kosovës të hënën kishte ftuar mysafirë, media dhe miq të teatrit, për të festuar së bashku çmimin Grand Prix në festivalin ShkupiFestival 2011, me shfaqjen “Rock’n’Roll” të Dino Mustafic.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Shkup u mbajt mes datave 4 dhe 10 nëntor të këtij viti. Në këtë festival, që ka karakter garues për vetëm një çmim, triumfoi shfaqja e Teatrit Kombëtar të Kosovës “Rock’n’Roll”. Përveç shfaqjes kosovare në konkurrencë ishin edhe shfaqje të teatrove nga Franca, Italia, Turqia, Serbia, Polonia, etj.

Përzgjedhja e shfaqjes“Rok’n’Roll” për pjesëmarrje në një festival teatror ndërkombëtar të përmasave evropiane, paraqet edhe një dëshmi shtesë të vlerave dhe standardeve artistike që ka kjo shfaqje, e cila, pas suksesit në skenën teatrore vendore, po bën jetën e saj edhe në skenën teatrore ndërkombëtare. Konfirmim për këtë është edhe konfirmimi i pjesëmarrjes së saj në edicionin e 13’të të Festival Iberoamericano de Teatro de Bogota, në Kolumbi.

Ky është edhe një rast tjetër i veçantë për paraqitjen dhe përfaqësimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës në kuadër të një festivali ndërkombëtar me karakter garues. Kosova ka nevojë për një prani më të madhe të produksioneve të saj teatrore në festivalet dhe në ngjarjet e përmasave evropiane. Këtë deri diku e ka arritur Teatri Kombëtar i Kosovës. Suksesi i Teatrit Kombëtar të Kosovës në Shkup paraqet edhe një dëshmi më shumë për vlerat artistike që ka ai.

Ndryshe autor i “Rock’n’Roll” është Tom Stoppard, dramaturg: Zeljka Udovicić, regjisor Dino Mustafić, ndërsa skenograf Dragutin Broz. Kostumografe është Vesa Kraja, përzgjedhja, aranzhimi dhe adaptimi i muzikës është bërë nga Trimor Dhomi, koreograf është Gjergj Prevazi, ndërsa videon e ka bërë Yll Çitaku. Asistente e regjisë është Rebeka Qena, ndërsa drama është përkthyer nga Fadil Bajraj.

Aktorët në shfaqjen “Rock’nRoll” janë Kushtrim Hoxha, Mentor Zymberaj, Gresa Pallaska, Ilire Çelaj, Armend Ismajli, Edona Reshitaj, Adrian Morina, Besnik Krapi, Fisnik Zeqiri, Rebeka Qena, Semira Latifi, Fisnik Sykaj dhe grupi muzikor Jericho.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›