“Java e Filmit Mesdhetar” shkon në Vlorë
Në qytetin e Vlorës do të zhvillohet “Java e Filmit Mesdhetar”, pjesë e aktiviteteve që organizohen nga Qendra Kulturore dhe Bashkia e këtij qyteti, në kuadër të sezonit turistik veror. Në këtë aktivitet që do të nisë në datën 2 gusht, do të shfaqen 10 filma artistikë prodhim i 5 viteve të fundit, nga vende të pellgut të Mesdheut, mes të cilave nga Spanja, Franca, Italia, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Greqia, Turqia dhe Egjipti. Filmat do të jenë me metrazh të gjatë, prodhim i 5 viteve të fundit dhe trajtojnë tema nga jeta e njerëzve të thjeshtë, e paqes, e dashurisë, traditat dhe historia e vendeve respektive. Aktiviteti që është konceptuar i hapur do të zhvillohet në mjediset përpara Pallatit të Sportit, ku çdo mbrëmje do të shfaqen dy filma që do të jenë të titruar në shqip. Gjatë ditëve të kësaj jave, personalitete dhe emra të njohur të filmit dhe kinematografisë shqiptare, mes të cilëve Tinka Kurti, Reshat Arbana, Josif Papagjoni, bashkëshortët Xhuvani, Artan Minarolli, Arben Lami, do të jenë të ftuar dhe do të komentojnë rreth filmave që do të shfaqen. Ndërkohë, çdo natë do të pasohet edhe nga elementë të tjerë artistikë, si muzikë “live”, çka do të gjallërojë mjedisin ku do të organizohet aktiviteti.
Gjatë një konference për shtyp që zhvilluan paraditen e djeshme, organizatorët e “Javës së Filmit Mesdhetar” dhanë detaje të tjera rreth këtij aktiviteti, që është i pari i këtij lloji që organizohet në Vlorë. Istref Dobi, drejtor i projektit tha se: “Qëllimi i aktivitetit është veç argëtimit dhe pasurimit të jetës kultuore artistike në sezonin turistik, por edhe promovimi i arritjeve bashkëkohore në fushën e kinematografisë, veçanërisht në rajonin e Mesdheut, si dhe njohja e kulturës dhe artit të vendeve të këtij pellgu. Sa më mirë e njeh një popull tjetër, sa më mirë njeh kulturën dhe historinë e tij, aq më tepër e do dhe respekton atë”. Më tej, Dobi falenderoi ambasadat e vendeve që do të përfaqësohen në këtë aktivitet, për gadishmërinë dhe ndihmesën që dhanë për ofrimin e filmave. Nga ana e tij, “Artisti i Popullit” Albert Verria, president i aktivitetit nënvizoi se, “artdashësit vlonjatë dhe pushuesit nga vende të tjera, do të kenë mundësinë të shohin filma që janë përfaqësuar në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare në vitet e fundit. Ai tha se “Java e Filmit Mesdhetar” është edhe një homazh për të gjithë ata aktorë shqiptarë që nuk jetojnë më, por që janë në memorien e qytetarëve. “Java e Filmit Mesdhetar”, organizohet nga Qendra Kulturore e Vlorës dhe financohet nga Bashkia e këtij qyteti.