Ekspedita shqiptaro-italiane, zbulime të reja në Adrianopolin antik
Me një sërë zbulimesh që konsiderohen të rëndësishme ka përfunduar ekspedita arkeologjike shqiptaro-italiane në rrënojat e qytetit antik të Adrianopolit. Ky është viti i gjashtë që arkeologët shqiptarë dhe italianë ndërmorën kërkime në këtë sit me rëndësi të veçantë për vlerat historike, trashëgiminë kulturore, etj. “Gjatë gërrmimeve tona ne bëmë të mundur zbulimin e një godine të madhe, e cila mund të ketë shërbyer për qëllime publike”, - thotë bashkëdrejtuesi italian i ekspeditës, Roberto Perna. Ndërkohë, për bashkëdrejtuesin tjetër të grupit, arkeologun shqiptar Dhimitër Çondi, falë kërkimeve të përvitshme tashmë po nxirren në dritë vlera të rëndësishme të Adrianopolit antik. Pjesë e zbulimeve kanë qenë edhe enë të ndryshme prej qeramike, monedha etj. Si pjesë e punës së misionit kërkimor zbulimet arkeologjike tashmë po i nënshtrohen restaurimit dhe studimit të veçantë. “Zbulimet e realizuara së fundi në rrënojat e Adiranopolit janë pjesë jo vetëm e procesit restaurues, por edhe e studimit dhe skedimit të tyre”, - thonë arkeologët. Falë punës arkeologjike, studimore dhe kërkimore të specialistëve shqiptarë dhe italianë, gjatë viteve të fundit siti i Adrianopolit antik pritet të marrë statusin e Parkut Arkeologjik. Në këtë mënyrë ai do të shërbejë edhe për nxitjen e turizmit kulturor në zonën e Gjirokastrës.