E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Kosovë çmime për filmat serb

Edhe pse Boegradi synonte të pengonte postën e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar (Dokufest), që ishte planifikuar të zhvillohej në Prizren nga data 23-31 korrik, juria e Festivalit, mbrëmë i dha përgjigjen më të paqtë Beogradit. “Letër nga babai” e regjizorit Srdjan Keca nga Serbia është shpallur dokumentari më i mirë për vendet e Ballkanit. Juria për garën e dokumentarit më të mirë të Ballkanit, e përbërë nga Alexander Nanau, Donal Mosher dhe Sasra Garcia kanë vlerësuar si prodhimin më të mirë pjesëmarrës në “DokuFets” filmin serb “Letra nga babai”, ndërkohë që një tjetër çmim i festivalit shkoi për regjizorin e ri serb Milja Turajli me filmin e tij “Kinema komuniste”. Por çmimi më i rëndësishëm i Festivalit në kategorinë e filmit dokumentar me metrazh të shkurtër iu dha regjizorit polak Jakup Stozek me “Out of Reach”, ndërsa çmimi për filmin dokumentar me metrazh të gjatë shkoi për Boris Berrets nga Britania e Madhe dhe filmin e tij “People I could have been and maybe am”. Edicioni jubilar i “DokuFestit” u mbyll mbrëmë në Prizren me ceremoninë e ndarjes së çmimeve për 186 filma në konkurrim, nga 55 vende të botës. Filmat u përfshinë në shtatë kategori konkurruese si dhe 13 programe speciale. Ata u shfaqën në 7 kinema të ngritura në mjedise të ndryshme publike. Festivalin sivjet e vizituan mbi 300 të ftuar, ndër ta producentë, regjizorë, dhe kritikë të filmit nga vendi dhe bota. “DokuFest” kishte nderin të mirëpriste emra të njohur të kinematografisë botërore, si: James Longley, Mohsen Makhmalbaf, Marshall Curry, Michael Palmieri, Pietro Marcelo, Alexander Nanao, Mirko Ilic e shumë të tjerë. Në mbyllje të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar e ftuara VIP ishte këngëtarja nga Britania e Madhe me famë botërore, Polly Jean Harvey, si dhe fotografi irlandez Seamus Murphy. Ata shfaqën 12 filmat e shkurtër me regji të Seamus Murphy, që përcjellin këngët e albumit të fundit të Harvey, të titulluar “Let England Shake”. Edicioni i 10-të i “DokuFest” gjithashtu shënoi dhe një rritje në numrin e pjesëmarrësve, 35% më shumë se vitin e kaluar. Gjithsej janë shitur mbi 9000 bileta në nëntë ditë sa është mbajtur festivali.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›