E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Java e Kuvendit” në Graçanicë

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, gjatë një vizite në Graçanicë, e ka siguruar udhëheqjen e re komunale dhe qytetarët e kësaj komune se do ta kenë përkrahjen e Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë për perspektivë dhe zhvillim të gjithëmbarshëm.

Ai ka lavdëruar zgjedhjet e mbajtura në këtë komunë të banuar me shumicë serbe si një shembull të mirë se si zhvillohen zgjedhjet e si zgjidhen deputetët nga vota e drejtpërdrejtë.

Nuk mund të ndryshojmë historinë, por mund të ndërtojmë të sotmen dhe të ardhmen, ka deklaruar kryeparlamentari i Kosovës, gjatë vizitës në këtë komunë të banuar me shumicë serbe, së bashku me anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, në kuadër të “Javës së Kuvendit”.

Krasniqi, i shoqëruar edhe nga deputetë nga rajoni, janë takuar me strukturat udhëheqëse komunale, me këshilltarët komunalë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë të tjerë, thuhet në një komunikatë shtypi të Kuvendit të Kosovës.

“Delegacioni i Kuvendit në fillim u prit nga kryetari i Kuvendit të Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq, i cili pasi u uroi mirëseardhje paraqiti një fjalë të shkurtër për ecuritë aktuale në këtë komunë, pas zgjedhjeve komunale, duke u përqendruar edhe në punët që po bëhen këtu në rrethana të reja. Në këtë frymë ai theksoi se ishte fat që ka punuar me kryekuvendarin Krasniqi dhe me anëtarët tjerë të Kryesisë, duke shprehur besimin se një përkrahje të këtillë ai dhe Komuna e Graçanicës do të kenë ne vijimësi në mbarë zhvillimet e gjithëmbarshme. Detyrën e re që ka marrë, ai e quajti shans, por edhe sfidë, sepse, si u shpreh ai, nuk është lehtë të ndërtohet një sistem funksional”, theksohet në komunikatën shpërndarë medieve.

Kryeparlamentari Krasniqi e ka përgëzuar Stojanoviqin për zgjedhjet e suksesshme dhe për punët e filluara në shërbim të qytetarëve, duke e siguruar se udhëheqja dhe mbarë Komuna e Graçanicës do të ketë përkrahjen e Kuvendit të Kosovës dhe të Qeverisë në zhvillimet e gjithëmbarshme. “Formimi i kësaj komune është në interes të qytetarëve, ajo u shërben atyre, por ajo njëkohësisht duhet edhe t' ju ofrojë perspektivë qytetarëve”, është shprehur Krasniqi.

Duke rikujtuar se nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës, 24 janë nga minoriteti serb dhe komunitetet e tjera pakicë, Krasniqi ka theksuar se po të dilte në zgjedhje më masivisht, komuniteti serb do të kishte një pjesëmarrje më të madhe të deputeteve nga vota e drejtpërdrejtë. “Zgjedhjet në Graçanicë japin një shembull shumë të mirë se si zhvillohen zgjedhjet e si zgjidhen deputetët nga vota e drejtpërdrejtë”.

Një nga sfidat kryesore është integrimi në jetën institucionale i serbëve, ndërsa në këtë rast formimi dhe funksionimi i Komunës së Graçanicës tregon se për qytetarët është hapur perspektivë e re dhe e sigurt, ka shtuar kryekuvendari. “Jemi duke treguar vullnet që me ligje të rregullojmë marrëdhëniet ndëretnike e ekonomike, të përkrahur edhe nga faktori ndërkombëtar për të ndërtuar një shoqëri demokratike, ku sundon ligji, drejt një jete me dinjitet të qytetarëve”.

Në të gjitha këto aktivitete një rol të rëndësishëm ka edhe shoqëria civile, e cila duhet të jetë oponencë e institucioneve, qoftë të nivelit lokal, qoftë në atë qendror. Përpjekjet duhet të përqendrohen në aspektin e ndihmës ndaj institucioneve që kanë dalë nga zgjedhjet, në funksion të krijimit të një kualiteti të ri të jetës në Graçanicë dhe në mbarë vendin, është shprehur Krasniqi. “Ne nuk mund të ndryshojmë historinë, por mund të ndërtojmë të sotmen dhe të ardhmen“, theksoi kryekuvendari i Kosovës.

Edhe anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviqi, i shprehu mirënjohje kryetarit të Graçanicës për përpjekjet që po bën në funksionalizimin e institucioneve të komunës dhe zhvillimin e saj. “Qytetarët, tashmë po e kuptojnë se formimi i komunës është në interes të tyre”, tha ai.

“Jemi këtu për të ofruar e gjetur zgjidhje për të gjitha problemet. Udhëheqja e Kosovës i ofron mbështetje të plotë Graçanicës. Kjo komunë ka perspektivë, ndërsa ka arritur tashmë rezultate të rëndësishme”, theksoi Petroviçi.

Sikur transmeton Zyra e Informacionit e Parlamentit, pyetjet e qytetarëve u përqendruan më shumë në çështjen e ngritjes së infrastrukturës, sidomos kur është fjala për rrugët, rrjetin shëndetësor, shkollat, punësimin etj. Përkitazi me këto probleme, u tha se edhe pjesët tjera të Kosovës ballafaqohen me shumë vështirësi, por u theksua se tashmë kjo komunë ka 270 projekte të ndryshme, më të cilat synohet të zbuten këto probleme.

Hapa më konkretë, u njoftua se janë bërë sidomos në projektin për ndërtimin e spitalit, për të cilin tashmë Qeveria e Kosovës ka siguruar një shumë mjetesh financiare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›