E Diel, 1 Nëntor 2026

Java e Muraleve Arbëreshe, frymëzohen nga historia dhe kultura, i shërbejnë ruajtjes së identitetit

Edicioni i parë i “Javës së Muraleve Arbëreshe” është përmbyllur me sukses në Pallagorio të Kalabrisë në Itali. Për një javë, artistë nga hapësirat shqiptare realizuan murale të frymëzuara nga historia dhe kultura arbëreshe, duke e kthyer qytezën në një galeri arti në natyrë. Ndër veprat që spikatën ishte edhe murali kushtuar liqenit të Shkodrës, si simbol i lidhjeve mes shqiptarëve dhe arbëreshëve.

Organizatorët e vlerësuan festivalin si një sukses dhe synojnë ta kthejnë atë në një traditë të përvitshme.

 “Dua të falënderoj të gjithë artistët që realizuan veprat, studentët dhe artistët e Mural Fest, të cilët erdhën këtu vullnetarisht për t’i dhuruar komunitetit tonë vepra artistike të mrekullueshme. Kjo ngjarje do të lërë një gjurmë të pashlyeshme”, deklaroi  organizatori Ettore Bonanno.

“Sfida e vogël e fshatrave arbëreshe të brendësisë së Kalabrisë është të vlerësojnë sa më shumë identitetin e tyre kulturor. Një nga mjetet për ta bërë këtë është pikërisht arti”, theksoi Presidenti i sipërmarrësve të rinj, Angelo Sturino.

Artistja Lebibe Topalli thekson se muralet janë një mënyrë e bukur për të përcjellë histori, kulturë dhe identitet.

“Muralet tona të gjitha prekin traditën, janë pjesë e tradicionales, por prekin pak nga kulturat shqiptare të vendeve të ndryshme shqiptare si nga Kosova, nga Arbëria dhe nga Shqipëria”, u shpreh artistja e muraleve, Lebibe Topalli.

Përveç pikturave murale, aktiviteti përfshiu ekspozita, takime kulturore dhe mbrëmje muzikore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›