Java e Pavarësisë, Beci pret Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani

TIRANË, 27 nëntor /ATSH/ Në kuadër të aktiviteteve për Javën e Pavarësisë, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci priti sot në ambientet e bashkisë, Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Beci e cilësoi Presidenten Osmani “një figurë shtetformuese, simbol të demokracisë dhe gruas lidere në hapësirën mbarëshqiptare”.
“Bashkëbisedimi ynë u përqendruan te projektet që synojnë forcimin e lidhjes Shkodër–Kosovë dhe te vizioni i përbashkët për zhvillimin kulturor, ekonomik dhe turistik mes dy vendeve”, tha ai.
Presidentja Osmani theksoi se Shkodra ka qenë gjithmonë një “portë e hapur” për kosovarët dhe mbetet një pikë referimi e miqësisë dhe bashkëpunimit mbarëkombëtar. Ajo kujtoi me mirënjohje mikpritjen e qytetarëve shkodranë gjatë viteve 1989-1999, kur shumë banorë të Gjakovës dhe zonave të tjera të Kosovës, të ndodhur në situata të vështira, u strehuan në Shkodër.
“Qytetarët e Shkodrës hapën zemrat dhe shtëpitë e tyre për kosovarët në ato momente të rënda”, u shpreh Presidentja Osmani, duke falënderuar popullin shkodran për solidaritetin historik dhe mbështetjen e vazhdueshme.
“Shprehëm angazhimin në thellimin e bashkëpunimit institucional dhe për të ndërtuar projekte të reja të përbashkëta, që forcojnë edhe më shumë lidhjet midis Shkodrës dhe Kosovës”, theksoi Beci.
1 nga 4/e.xh/r.e/