FRANCË – Macron njofton shërbimin ushtarak vullnetar mes kërcënimeve në rritje

PARIS, 27 nëntor /ATSH/- Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi sot krijimin e një shërbimi të ri ushtarak vullnetar për të rinjtë që do të fillojë nga mesi i vitit 2026, i cili do të ndihmojë Francën të përgjigjet ndaj “kërcënimeve në rritje” në skenën globale, sipas “Reuters”.
Ky veprim është pjesë e një ndryshimi më të gjerë në të gjithë Evropën, ku vendet që kanë gëzuar garanci të sigurisë së SHBA-së prej disa dekadash, tani po shqetësohen për prioritetet në ndryshim të presidentit amerikan, Donald Trump dhe qëndrimit agresiv të Rusisë.
“Franca nuk mund të qëndrojë duarkryq”, tha Macron gjatë një fjalimi në Brigadën e 27-të të Këmbësorisë Malore në Varces, në Alpet Franceze.
“Plani është frymëzuar nga praktikat e partnerëve tanë evropianë… në një kohë kur të gjithë aleatët tanë evropianë po avancojnë në përgjigje të një kërcënimi që na rëndon të gjithëve”, tha Macron.
“Skema vullnetare do të jetë e hapur për 18 dhe 19-vjeçarët, të cilët do të paguhen, dhe do të zgjasë 10 muaj. Ky program do të kushtojë 2 miliardë euro, pjesë e një përpjekjeje te rëndësishme dhe te nevojshme”, shtoi presidenti francez.
Skema parashikon angazhimin e 3 000 personave në vitin 2026, të cilët do të shërbejnë vetëm në tokën franceze, duke u rritur në 10 000 të rinj deri në vitin 2030.
“Ambicia ime për Francën është të regjistrohen 50 000 të rinj deri në vitin 2035, në varësi të kërcënimeve në zhvillim”, tha Macron.
“Pas programit, pjesëmarrësit mund të integrohen në jetën civile, të bëhen rezervistë ose të qëndrojnë në forcat e armatosura”, tha ai.
Njoftimi i Macron vjen pasi gati 12 vende të tjera evropiane si Gjermania dhe Danimarka, kanë nisur projekte të ngjashme ushtarake. //a.i/