E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java e ardhshme, më e ftohta e vitit



Bëhuni gati për xhupat dhe xhaketat më të trasha, sepse i ftohti po na troket në dyer. Ulje drastike temperaturash parashikon Shërbimi Meteorologjik i Forcave Ajrore për javën e ardhshme, duke e bërë atë javën më të ftohtë të vitit. Për dy ditët në vijim parashikohet se në zonat malore temperatura do të jetë nga -2 deri në 7 gradë, ndërsa temperatura maksimale në të gjithë vendin do të jetë në zonat bregdetare, 14 gradë celsius.

Moti

“Duke filluar që nga dita e nesërme dhe në vijim, e hëna dhe e marta, do të karakterizohen nga një mot kryesisht i kthjellët, por nuk do të mungojnë as vranësirat e dobëta që do të shfaqen kryesisht në veri dhe verilindje si edhe në zonat malore. Në zona të veçanta mund të gjenerohen edhe reshje të dobëta dëbore. Temperaturat e ajrit dje kanë rënë me 4 gradë, ndërkohë që një tjetër rënie temperaturash me 2-3 gradë celsius pritet të shënohet edhe gjatë ditës së sotme, më e ndjeshme kjo në mëngjes. Rënia e temperaturave do të vijojë edhe javën tjetër, e cila pritet të jetë java më e ftohtë e vitit", – deklaroi meteorologia Tanja Porja.

“Vendi ynë do ndikohet nga periferia e presionit të lartë atmosferik, shoqëruar me masa ajrore relativisht të lagëta dhe relativisht të freskëta. Moti do të jetë i kthjellët dhe me kalime vranësirash të pakta deri në mesatare. Kemi tendencë termike në rritje”, – parashikon shërbimi për dy ditët në vijim. Ndërkohë, për valët në bregdet nuk do të përbëjnë problem, pasi do të jenë 2-4 ballë.

Masat

Temperaturat në zonat e ulëta do të variojnë nga 1 grad minimumi deri në 13 gradë celsius, ndërkohë që temperatura minimale në bregdet do të jetë 4 gradë me temperaturë maksimale 14 gradë celsius. Për ditën e sotshme pritet që masat ajrore të jenë të ftohta, por pa pasur vranësira, ndërkohë që edhe valëzimi në bregdet do të jetë mjaft i ulët, duke mos shkaktuar probleme në portet e vendit.

Ulja e temperaturave me reshjet e dëborës pritet të nisin gjatë fillimit të vitit të ardhshëm, sipas Shërbimit Meteorologjik të Forcave Ajrore. Kjo pritet të sjellë probleme të mëdha në zonat malore të vendit, ku çdo vit bllokohen me dhjetëra komuna, për shkak të reshjeve të dëborës. Nga Drejtoria e Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme bëhet e ditur se tashmë janë marrë të gjitha masat dhe se shërbimi në terren është në efektivitet të plotë për të ndjekur situatën nga afër.

Kthimi i emigrantëve, fluks në pikat kufitare

Durrës e Kakavijë, probleme nga numri i automjeteve

Normalizohet situata në pikën e kalimit të Kapshticës

Ardhja e emigrantëve ka bërë që në të gjitha pikat e kalimit të vendit të shtohen radhët e mjeteve që duan të kalojnë në Shqipëri. Dje, në Kakavijë dhe në portin e Durrësit është shtuar fluksi i mjeteve, ndërkohë që situata në Kapshticë, ku gjatë gjithë këtyre ditëve ka pasur fluks të lartë të automjeteve, është normalizuar. Emigrantët po kthehen në Shqipëri për festat e fundvitit.

Kapshticë, normalizohet situata

Fundjava ka shënuar hyrjen e një numri prej më shumë se 5 mijë personave në vendkalimin kufitar të Kapshticës, duke sjellë kështu edhe një gjendje të rënduar të qarkullimit ndërkufitar për mjetet dhe njerëzit, por ditën e djeshme situata në këtë doganë është normalizuar. Ardhja masive e emigrantëve për festat e fundvitit, ka qenë e pritshme tani në prag të Krishtlindjeve, por vetë numri i madh i tyre dhe një punë me rimte jo të larta e palës greke, duke u gdhirë dita e shtunë, ka sjellë radhë të gjata mjetesh matanë kufirit. Emigrantët u shprehën se kanë qëndruar për afro 3 orë në pritje, para se të kryenin procedurat e kalimit të kufirit në doganën greke, ku gjithsesi, sipas tyre, nuk janë penguar për marrjen e vulave hyrëse në Shqipëri.

Kakavijë, fluksi më i madh

Pika e vendkalimit kufitar të Kakavijës ka përjetuar gjatë ditës së djeshme fluksin më të madh të emigrantëve shqiptarë gjatë këtij muaji. Mbi 11 mijë emigrantë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, kanë hyrë gjatë 12 orëve të fundit në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin të qarkut Gjirokastër, thanë se, qysh prej orës 02:00 të ditës së djeshme, numri i emigrantëve që hyjnë të territorin shqiptarë është rritur ndjeshëm dhe deri në orën 12.00 kanë qarkulluar mbi 11 mijë emigrantë dhe 2800 automjete. “Të gjitha strukturat e policisë kufitare kanë marrë një plan masash për të përballuar me sukses fluksin e emigrantëve shqiptarë që pritet të rritet në ditët në vazhdim”, - thanë burimet zyrtare, duke shtuar se infrastruktura në këtë pikë kufitare është në gatishmëri për çdo të papritur.

Durrës, tragetet, dy rrugë në ditë

Ka nisur prej tri ditësh fluksi i ardhjes së emigrantëve nga porti më i madh i vendit, duke rritur kështu shkallën e sigurisë portuale dhe gatishmërisë së policisë dhe doganës. Por, sektori i policisë amerikane, që monitoron portin e Durrësit, ka kundërshtuar propozimin e autoriteteve të këtij porti për përdorimin e kalatave të tjera në funksion të trageteve gjatë ditëve të fluksit të emigrantëve. Kjo, për të vetmen arsye, sepse mungon infrastruktura e nevojshme nëpër kalatat jashtë terminalit të trageteve, me anë të së cilës do të mund të mbahej nën kontroll situata e trafiqeve të paligjshme si ajo e drogës apo e klandestinëve. Në këto kushte kompanitë e lundrimit kanë vendosur të kryejnë dy udhëtime në ditë, infrastruktura portuale po mundohet t’i përgjigjet këtij fluksi, pasi kalata e trageteve nuk ka kapacitetet e nevojshme për përballimin e këtij arsenali mjetesh lundruese. Nga ana e tyre, policia dhe dogana kanë marrë masa për rritjen e numrit të sporteleve si dhe të efektivave policorë dhe të atyre doganorë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›