E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro, IREX: Luftë tregut informal në media



Ministri i MPÇSSHB, Anastas Duro dhe drejtori i IREX-it mbështesin idenë e zbatimit të Kodit të Punës në tregun mediatik

Informaliteti në tregun mediatik do të ndëshkohet. Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro, do të bashkëpunojë me instanca të tjera në mënyrë që të gjejë zbatim Kodi i Punës në këtë treg. Sipas Duros, është e patolerueshme që të ketë ende gazetarë që punojnë në media në të zezë. Sipas tij, kjo është ulje e nivelit të zhvillimit dhe demokratizimit të një vendi.

Marrëveshja

Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Anastas Duro dhe drejtori i IREX-it (International Research and Exchange Board), që mbështet çështjet e medias për Evropën, Mike Devilliers, gjatë një takimi në Tiranë, ndanë idenë se zhvillimi dhe forcimi i mediave në çdo vend dhe shoqëri konsiderohet si një vlerë, por edhe tregues i nivelit të zhvillimit dhe demokratizimit të tyre. Zyra e shtypit pranë MPÇSSHB bëri të ditur se ministri Duro u shpreh se institucioni që drejton, në vazhdimësi e ka vlerësuar dhe konsideruar sektorin e medias, si sektor të një rëndësie të veçantë, jo vetëm për shkak se përfaqëson pushtetin e katërt në çdo shoqëri demokratike, por edhe sepse, si mbrojtësja e drejtave të shoqërisë, në përgjithësi, dhe çdo individi, në veçanti, i takon pikërisht asaj vetë, që para së gjithash të jetë pasqyrë e respektimit të drejtave të gazetarëve në marrëdhëniet e punës, në respekt të Kodit të Punës.

Sipas ministrit Duro, “një gazetar, i cili nuk arrin të mbrojë të drejtën e vet, por pranon të punojë në të zezë, e ka të vështirë, madje të pamundur, të arrijë të mbrojë të drejtat e shoqërisë dhe të atyre që, si ai, punojnë në tregun informal”.

Ai theksoi se bashkëpunimi me Unionin, si përfaqësues i punëmarrësve në sektorin e medias, dhe përfaqësuesit e sipërmarrjes mediatike, do të forcohet dhe në qendër të këtij bashkëpunimi do të jetë domosdoshmëria e njohjes dhe zbatimit të Kodit të Punës.

Nga ana e tij drejtori i IREX-it, një qendër që e ka shtrirë aktivitetin e vet në të gjithë botën, u shpreh se “edhe pse problemet me të cilat përballet biznesi mediatik në Shqipëri janë të mëdha, ato nuk justifikojnë shkeljen e Kodit të Punës në kurriz të punëmarrësve të pambrojtur me kontrata”. Sipas z. Devilliers, mbështetja e strukturave të Ministrisë për të sheshuar problemet në këtë proces, konsiderohet e rëndësishme dhe e domosdoshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›