E Shtunë, 31 Tetor 2026

MOST promovon përdorimin e biçikletës në kryeqytet



Ndërgjegjësimi i qytetarëve për sa u përket problemeve të mjedisit urban, u bë duke promovuar përdorimin e biçikletës në zona të ndryshme të kryeqytetit. Bashkia e Tiranës dhe Co-PLAN (Instituti për Zhvillimin e Habitatit) organizuan dje në Tiranë ceremoninë e mbylljes së projektit “Mobilitet i qëndrueshëm në Tiranë”, MOST (Projekt i promovuar nga Delegacioni i Komisionit Evropian, përmes Bashkisë së Tiranës dhe Rajonit të Puglias në Itali, në fushën e menaxhimit të mobilitetit dhe qëndrueshmërisë mjedisore, nëpërmjet financimit të programeve CARDS dhe INTERREG të Bashkimit Evropian). Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Eduard Shalsi, i cili përshëndeti ceremoninë e organizuar me këtë rast, u shpreh: “Jemi shumë të gëzuar sepse shohim një nga sfidat më të mëdha, me të cilën ne si bashki dhe kryeqyteti ynë përballet, siç është transporti, në të gjithë komponentët e tij. Ky projekt pati disa faza, të cilat konsistonin në një përgatitje teorike dhe një përgatitje praktike. Gjatë kësaj kohe, janë realizuar praktika të tjera, në qytete të ndryshme evropiane, pavarësisht nga konteksti i ndryshëm gjeografik, kulturor apo ekonomik”. Ndër të tjera, në takim u diskutua për rezultatet e arritura si dhe për perspektivat e së ardhmes, për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Tiranës dhe Barit, duke u fokusuar në çështjet e transportit, trafikut dhe menaxhimit të mobilitetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›